Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Mungesa e aktivitetit fizik te të rriturit, cilat janë pasojat

Sipas një studimi të ri, gati një e treta e të rriturve në mbarë botën nuk i përmbushën nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik në vitin 2022. Rajoni i Mesdheut lindor dhe rajoni i Azisë juglindore kanë shkallën më të lartë të pasivitetit fizik, me 40% në të dy rajonet. Njerëzit që ushtrojnë në kryeqytetin indonezian Xhakarta pajtohen se shumica e njerëzve duhet të bëjnë më shumë stërvitje.

Gelora Bung Karno (GBK) në Xhakartë është një kompleks sportiv i preferuar për vendasit dhe shpesh është i mbushur me njerëz që ushtrojnë.

Megjithatë, 40 për qind e banorëve të kësaj pjese të botës nuk bëjnë mjaftueshëm stërvitje, sipas një studimi të ri të botuar në revistën The Lancet Global Health.

Ngarkesat e larta të punës e bëjnë të vështirë për njerëzit në Xhakartë që të gjejnë kohë për të ushtruar, thonë vendasit, raporton AP

“Në Indonezi shumë njerëz e kanë të vështirë të gjejnë kohë të lirë, pasi shumë njerëz kanë një ngarkesë të lartë pune, që do të thotë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të ushtruar për ta ruajtur shëndetin e tyre. Gjithçka që ata mendojnë është puna”,  thotë Daniel Soekarso pas një vrapimi.

Të tjerë këtu fajësojnë mediat sociale për krijimin e një stili jetese më pasive.

Kinan Randy, studente e vitit të parë në një kolegj në Xhakartë thekson se të gjithë janë të lidhur fort pas mediave sociale.

“Unë me të vërtetë pajtohem dhe besoj në rezultatet e këtij hulumtimi, sepse nga ajo që shoh në mjedisin rreth meje, fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit tani priren të jenë të zënë me pajisjet e tyre dhe mediat sociale. Në moshë të re mund të prekemi edhe nga sëmundje të tilla si kolesteroli, niveli i lartë i sheqerit në gjak dhe sëmundje të tjera të cilat më parë mendonim se i përjetonin vetëm të moshuarit”, thotë ajo.

Studimi i ri thotë se afërsisht 1.8 miliardë njerëz, që është gati një e treta e të rriturve në mbarë botën, nuk arritën të përmbushin nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik në vitin 2022, që do të thotë se ata mund të jenë në një rrezik të përballen me sëmundje të ndryshme.

Raporti u bë nga studiues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë së bashku me kolegë akademikë.

Autorët thonë se gjetjet tregojnë një prirje shqetësuese të të rriturve duke u bërë më pak aktivë fizikisht.

Njerëzit janë më pak aktivë në rajonin e Mesdheut lindor dhe rajonin e Azisë juglindore, me nivele të pasivitetit fizik në këto dy rajone në 40%.

Në të kundërt, njerëzit janë shumë më aktivë në rajone të tjera, me nivele të pasivitetit në rajonin e Paqësorit perëndimor (28%), rajonin evropian (25%) dhe rajonin afrikan (16%).

Sipas studimit, gratë në mbarë botën kanë më pak gjasa të jenë fizikisht aktive sesa meshkujt, me përqindje të pasivitetit prej 34% krahasuar me 29% për meshkujt.

Gjithashtu u zbulua se pasiviteti rritej pas moshës 60-vjeçare.

Megjithatë ka disa mënyra pozitive.

Studimi tregon gjithashtu se pothuajse gjysma e vendeve të botës kanë bërë disa përmirësime në reduktimin e pasivitetit fizik gjatë dekadës së fundit.

Dhe 22 vende mund të arrijnë objektivin global të reduktimit të pasivitetit me 15% deri në vitin 2030, nëse përpjekjet e tyre vazhdojnë me të njëjtin ritëm.

Youtube

Arkiva

Kategoritë