Qytetarëve të Kosovës u duhet të shpenzojnë qindra, mijëra e ndonjëherë edhe miliona euro për të kryer transplantimin e organeve jashtë vendit. Kjo për shkak se vendi ynë është ndër të vetmit në rajon, që nuk e kryen këtë shërbim mjekësor.
Në vendin tonë nuk është arritur asnjëherë që të miratohet ligji për transplantimin e organeve. Derisa nevoja për miratimin e këtij ligji po konsiderohet të jetë e domosdoshme.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar në komisionin për Shëndetësi, Bekim Haxhiu thotë se ky ligj është jashtëzakonisht i domosdoshëm. Për KosovaPress Haxhiu thekson se si pasojë e mungesës së këtij ligji, shumë pacientë shpenzojnë për t’u trajtuar jashtë vendit.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj thotë se mungesa e këtij ligji është vetëm një segment i vogël i problematikës së madhe të shëndetësisë në Kosovë.
Dreshaj thotë për KosovaPress, potencon se qeveria aktuale shtynë përpara vetëm proceset që atyre u interesojnë. Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarja e komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku derisa pohon se është më se e domosdoshme që qytetarët ta kenë këtë shërbim, thotë se janë në pritje të ligjit të ri për shëndetësi.
Në një prononcim për KosovaPress, Kollçaku potencon se ka mjekë që janë të gatshëm për të kryer transplantimin e organeve.
Kujtojmë se nismën për këtë ligj e kishte marrë ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Në vitin 2013, ish-ministri shtyu përpara projektligjin për transplantimin e organeve, që lejonte operacionet edhe në klinikat private, por që u tërhoq me sugjerimin e ndërkombëtarëve. Ani pse janë ndërruar disa ministra, miratimi i këtij ligji vazhdon të jetë në proces.
Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPres,s thotë se grupi punues ka hartuar draftin fillestar për këtë ligj dhe se pritet të finalizohet në fund të qershorit .
MSh-ja thotë se me miratimin e këtij koncept dokumenti do të hapet rruga për hartimin e Projektligjit për Transplantimin e Organeve, i cili është paraparë për vitin 2025.