Mëlçia e dhjamosur është një ndër sfidat e bashkëjetesës me infeksionin HIV, e cila mund të shkaktojë sëmundje kronike, transplant mëlçie, apo edhe vdekje. Kristine Erlandson, në Universitetin e Kolorados, ka zbuluar se semaglutidi mund të jetë një armë e fuqishme kundër një forme sëmundjeje të mëlçisë së zmadhuar, e cila prek individët e infektuar me HIV.
Në një studim të publikuar në Annals of Internal Medicine, autorët u përqendruan në përdorimin e semaglutidit në trajtimin e disfunksionit metabolik për shkak të sëmundjes hepatike steatotike (MASLD) te individët e prekur nga HIV. MASLD është shkaku më i shpeshtë i sëmundjes hepatike kronike dhe i vdekjeve të lidhura me mëlçinë. Ky është një term i ri për të ashtuquajturën sëmundje të mëlçisë yndyrore jo-alkoolike. Ajo lidhet me të paktën një faktor rreziku metabolik, si obeziteti, apo kolesteroli i lartë.
Në disa raste, mëlçia e dhjamosur te individët me HIV, mund të shkaktohet nga efektet anësore të disa terapive antiretrovirale, sidomos të atyre më të vjetrave. Duket se HIV mund të kontribuojë në përshpejtimin e përparimit të MASLD në dëmtim të mëlçisë, cirrozë dhe pamjaftueshmëri hepatike.
“Aktualisht, trajtimi kryesor për mëlçinë e dhjamosur është humbja e peshës dhe të gjithë e dimë që për shumë individë ajo mund të jetë e vështirë për t’u arritur dhe për t’u ruajtur”, shpjegon Erlandson.
Për studimin u rekrutuan 51 pjesëmarrës në moshë madhore me HIV dhe MASLD në SHBA dhe Brazil, të cilët u vlerësuan 24 javë pas fillimit të terapisë: 29% e tyre nuk shfaqën shenja të MASLD-së, ndërsa 58% shfaqën një reduktim të dukshëm të yndyrës së mëlçisë, i mjaftueshëm për uljen e peshës së mëlçisë, aq sa për reduktimin e rrezikut për përparim të sëmundjes hepatike në fazë të avancuar. Sipas studimit, u arrit në përfundimin se semaglutidi është një terapi jashtëzakonisht efikase kundrejt MASLD” për personat me HIV.