Shpresa Krasniqi është specialiste e mjekësisë familjare në QKUK.
Në revistën e titulluar ‘Shëndeti i Kryeqytetit’ ajo ka ndarë 10 këshilla për një jetë më të shëndetshme.
Këshillat e saj vijojnë si më poshtë:
- Ushqehuni shëndetshëm. Një dietë e shëndetshme dallon nga një person në tjetrin, por për t’a bërë më të thjeshtë në vitin 2024 të fillojmë duke konsumuar sa më pak ushqime që përmbajnë shumë kripë, sheqer, dhe yndyrna. Për shembull, pi ujë në vend të lëngjeve të pemëve apo të gazuara, zëvendëso ushqimet e shpejta me ato të freskëta e të gatuara në shtëpi, ha të paktën 5 porcione fruta e perime gjatë ditës. Në vend se të fillosh ditën me një kafe, fillo me një mëngjes të balancuar me ushqime që përmbajnë protenia, p.sh. vezët, tuna, kosi apo jogurti. Kjo do të të japë energji më të madhe, do të të balancojë sheqerin në gjak, dhe rrjedhimisht do të të ndihmojë të kontrollosh urinë dhe të mirëmbash peshën.
- Vaksinohuni. Vaksinat ulin rrezikun e sëmundjeve të ndryshme duke bashkëpunuar me sistemin tonë të mbrojtjes imunitare dhe janë një mjet kyç për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve. Duke u vaksinuar kundër sëmundjeve si gripi, hepatiti, dhe të tjera, ne përparojmë në luftën kundër epidemive dhe pandemive. Po ashtu, vaksinimi ndihmon në mbrojtjen e atyre që nuk mund të vaksinohen për shkak të arsyeve të shëndetit, duke krijuar një mbrojtje kolektive. Andaj, kujdesuni që ju dhe familja keni marrë të gjitha vaksinat e duhura.
- Kujdesuni për shëndetin e zorrëve dhe stomakut. Studimet tregojnë se më shumë se 70% e sistemit tonë imunitar gjendet në zorrë dhe stomak. Përpos që ndihmojnë tretjen e ushqimit, bakteriet e mira të zorrëve dhe stomakut mbështesin shëndetin tonë duke prodhuar vitamina, mbështetur sistemin imunitar, dhe duke luftuar bakteriet e dëmshme. Andaj, për t’i mbrojtur ato hani ushqime të pasura me probikotikë dhe me fibra, siç janë kosi dhe jogurti, perimet e fermentuara (turshitë), tërshëra, fasulet, brokoli, molla, dardha, portokalli, etj.
- Hidratohuni. Hidratimi është kyç për rregullimin e temperaturës së trupit, parandalimin e infeksioneve, ushqimin e qelizave, funksionimin e nyjeve, gjumë e disponim të mirë. Për të mbajtur trupin tonë të hidratuar, është rekomanduar të pijmë rreth 8 gota (rreth 2 litra) ujë në ditë. Kjo shifër mund të ndryshojë në varësi të faktorëve të tjerë si aktiviteti fizik, stina dhe gjendja shëndetësore e individit. Në këto 2 litra mund të përfshihen edhe lëngje tjera dhe cajra pa që nuk përmbajnë sheqer të shtuar.
- Kontrolloni dhe mirëmbani nivelin e vitaminës D. Shumica e njerëzve sot nuk arrijnë të prodhojnë natyralisht nivelin e nevojshm të vitaminës D si pasojë e ekspozimit të pamjaftueshëm në diell. Nëse ndiheni të lodhur, keni dhimbje të muskujve dhe dobësi, apo sëmureni shpesh, me shumë gjasë keni mungesë të vitaminës D, gjë që ulë imunitetin, dhe rrjedhimisht rritë shancet për t’u sëmurë nga gripat dhe virozat e ndryshme, sëmundjetë autoimune, diabeti, demenca, etj. Andaj të paktën një herë në vit kontrolloni nivelin e vitaminës D në gjak dhe në mënyrë të vazhdueshme ushqehuni me ushqime që e përmbajnë atë si peshku, vezët, mishi, kërputhat dhe mundohuni ti ekspozoheni diellit në mëngjes dhe pasdite. Nëse keni mungesë të theksuar të vitaminës D, konsultohuni me mjekun tuaj familjar.
- Mbani higjienën personale. Nuk thonë kot se pastërtia është gjysma e shëndetit. Andaj, kujdesuni të mbani higjenën tuaj dhe të familjes suaj. Përpos larjes së rregullt të duarve, dezinfektoni sipërfaqet të cilat i përdorni më shpeshë siç janë telefoni mobil, dorezat e dyerve, apo tavolina e punës. Disa herë në ditë ajrosni hapësirën ku jetoni apo punoni, duke hapur dritaret dhe lejuar ajrin e pastër të hyjë brenda. Të gjitha këto veprime të vogla do të parandalojnë shpërndarjen e viruseve dhe bakterieve, dhe do të ju ndihmojnë të keni shëndet të fortë.
- Lëvizni të paktën 1 orë çdo ditë. Jo të gjithëve na pëlqen palestra ose vrapimi, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të jemi aktivë. Në vend se të shkosh në punë me veturë ose autobus, shko në këmbë apo me bicikletë, zëvendëso ashensorin me shkallët, ec për 15 minuta pas ushqimit, puno në kopshtin e shtëpisë, apo pastroje dhomën, provo një orë të jogas ose pilates. Të gjitha këto do të ju ndihmojë të ulni rezistencën e insulinës e cila shkaktohet si pasojë e pasivitetit të muskujve të cilët nuk përdorin sheqerna për të lëvizur, dhe, si rrjedhojë të ulni rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare e diabetit.
- Mbani marrëdhënie të shëndosha shoqërore. Një kafe me shoqen e ngushtë, një thirrje telefonike me familjarët që jetojnë jashtë vendit, një bisedë e shkurtër me fqiun, ose ndarja e jetës profesionale me atë personale. Këto mund të duken si veprime të përditshme pa ndonjë rëndësi të madhe, por në fakt janë kyçe për të mirëmbajtur lidhjet tona shoqërore e familjare të cilat është vërtetuar se luftojnë stresin, ankthin e depresionin, rrisin vetëbesimin, dhe ndihmojnë t’i tejkalojmë sfidat personale e shëndetësore më shpejtë.
- Bëni të paktën 7 orë gjumë çdo natë. Gjumi i natës nuk mund të zëvendësohet me atë të ditës. Për të gjithë ata që deklarojnë se e kanë të pamundur të flenë 8 orë çdo natë, Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit në vitin 2022 ka dalur me rekomandime të reja se çdo njeriu i duhen të paktë 7 orë gjumë çdo natë për të evituar shtimin në peshë, diabetin, tensionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, e depresionin. Për të arritur këtë, qëdnroni larg ekranit të telefonit, kompjuterit apo televizorit të paktën një orë para gjumit, pini çaj kamomile.
- Limitoni konsumin e alkoholit, duhanit, dhe pijet energjike. Studimet tregojnë se Alkoholi mund të shkaktojë dëme serioze në mëlçi, traktin e zorrës, dhe sistemin kardiovaskular. Në anën tjetër, duhani është shkaktari kryesor i sëmundjeve të zemrës, kancerit, dhe problemet e frymëmarrjes. Pijet energjike, me nivel të lartë të kafeinës dhe sheqerit, mund të shkaktojnë rritje të presionit të gjakut, nervozizëm, dhe probleme me gjumin.