Mes popullaritetit në rritje të barnave që përdoren për humbje peshe si “Ozempic”, “Wegovy”, “Mounjaro” dhe “Zepbound”, një pyetje është ngritur mes përdoruesve, çfarë ndodh nëse ata e vazhdojnë ilaçin për disa vite?, sipas abcnews.
Një studim i ri i publikuar në fillim të këtij muaji nga “Novo Nordisk”, kompania e prodhimit të barnave “Ozempic” dhe “Wegovy”, po hedh dritë mbi atë se si duken rezultatet afatgjata për njerëzit që marrin medikamente për humbje peshe.
“Ky është studimi më i gjatë që kemi kryer deri tani për “Semaglutide” (një ilaç kundër obezitetit që përdoret për humbje peshe)”, tha kreu i “Novo Nordisk”, Martin Holst Lange.
Të dy medikamentet “Ozempic” dhe “Wegovy” janë pjesë e një klase barnash të quajtura “Agonistët e Receptorit GLP-1” që ndihmojnë njerëzit të prodhojnë insulinë për të ulur sasinë e sheqerit në gjakun e tyre.
Medikamentet, të bëra nga një përbërës i quajtur “Semaglutide”, funksionojnë duke ngadalësuar lëvizjen e ushqimit nëpër stomak dhe duke frenuar oreksin, duke shkaktuar kështu humbje peshe.
Studimi i ri, i prezantuar këtë muaj në Kongresin Evropian për Obezitetin në Venecia, Itali, u fokusua në “Wegovy”, një ilaç injektues i miratuar nga FDA – Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së për humbjen e peshës për njerëzit me obezitet ose që janë mbipeshë me një sëmundje shoqëruese, si presioni i lartë i gjakut.
“Ozempic ” është miratuar nga FDA për trajtimin e diabetit të tipit 2, por disa mjekë nuk e kanë miratuar përdorimin e ilaçit për humbje peshe.
Më poshtë vijojnë katër rezultatet e studimit;
-Sapo arrihet humbja e peshës, ju filloni të shtoni në peshë nëse vazhdoni të përdorni ilaçin.
-Rreth 17% e pacientëve në afatin kohor 4-vjeçar u tërhoqën për shkak të një efekti anësor ndërsa merrnin “Wegovy”.
-Efektet anësore më të shpeshta të raportuara janë të përzierat dhe kapsllëku.
–Në shumicën e rasteve, njerëzit që marrin këto medikamente GLP-1 dhe humbin një sasi të konsiderueshme të peshës, mund/do ta rifitojnë një pjesë ose të gjithë peshën kur t’i ndërpresin ato.