Komplikimet e hershme të gjakderdhjes subaraknoidale përfshijnë:
- Rigjakderdhja – Një ndërlikim i hershëm dhe serioz i një hemorragjie subaraknoidale është aneurizmi i trurit që shpërthen sërish pasi mbyllet vetë. Kjo njihet si rigjakderdhje. Rreziku i rigjakderdhjes është më i lartë disa ditë pas hemorragjisë së parë dhe bart një rrezik të lartë të paaftësisë së përhershme ose vdekjes. Për shkak të kësaj, riparimi i aneurizmit është i nevojshëm sa më shpejt të jetë i mundur.
- Vazospazmi – I quajtur edhe iskemi cerebrale e vonuar, ndodh kur një enë gjaku kalon në një spazmë, duke shkaktuar ngushtimin e enës. Furnizimi me gjak në tru zvogëlohet në mënyrë të rrezikshme, duke ndërprerë funksionet normale të trurit dhe duke shkaktuar dëmtim të trurit. Zakonisht ndodh disa ditë pas hemorragjisë së parë. Simptomat e zakonshme janë përgjumja, e cila mund të kalojë në koma, me ose pa simptoma të tjera të ngjashme me goditjen në tru, si dobësim i njërës anë të trupit. Ka shumë trajtime që mund të përdoren për të parandaluar dhe trajtuar vazospazmin duke përfshirë këtu nimodipinën.
- Hidrocefalusi – Nënkupton grumbullimin e lëngut në tru, rrjedhimisht duke rritur presionin në tru dhe duke shkaktuar dëmtim të mundshëm të tij. Në grupin e simptomave hyjnë: dhimbja e kokës, shikimi i turbullt, vështirësia në ecje. Hidrocefalusi është i zakonshëm pas hemorragjisë subaraknoidale, pasi çrregullohet prodhimi dhe drenimi i lëngut trunoshpinor (LTSH). LTSH-ja është një lëng që mbështjell trurin dhe palcën kurrizore, prodhohet dhe absorbohet vazhdimisht, duke e ripërtërirë veten. Hidrocefalusi mund të trajtohet me punksion lumbal ose me një tub të përkohshëm që implantohet në mënyrë kirurgjikale në tru për të drenuar lëngun e tepërt.