Për të tretin vit me radhë, Unioni i Turizmit të Kosovës po organizon Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Kosova 2024, ku sivjet po marrin pjesë mbi 300 biznese nga 15 shtete të ndryshme të rajonit dhe BE-së. Hapja e këtij panairi vuri në pah rëndësinë e zhvillimit të turizmit në Kosovë, në mënyrë që të tërhiqen sa më shumë vizitorë nga të gjitha vendet e botës, për çka u tha se kjo gjë do të ndikonte edhe në përmirësimin e kushteve dhe ekonomisë në vendin tonë.
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti tha se trendi i rritjes së numrit të vizitorëve ndërkombëtar në Kosovë, po shënon rritje vazhdimisht . Sipas tij, në muajin janar të këtij viti ka mbi 50 për qind më shumë vizitorë, krahasuar me janarin e vitit të kaluar.
Hoti u bëri thirrje institucioneve që ta kenë prioritet turizmin në Kosovë, meqë sipas tij turizmi është një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së një vendi dhe një faktorë shumë i rëndësishëm i punësimit.
Ndër të tjera, Hoti tha se do të bëjnë përpjekje që gjatë këtij viti të rrisin për 30 për qind numrin e vizitorëve në Kosovë.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se organizimi i këtij panairi shërben si një qëllim jetik për kryeqytetin, duke vënë në qendër të vëmendjes potencialin e gjerë që e ka Kosova me bukuritë e saj natyrore, kulturore dhe historike.
Rama potencoi se përmes këtij panairi mund të arrihen shumë bashkëpunime të ndërsjella të agjencive turistike në rajon.
Ai tha se ky organizim është një mundësi për ta transformuar kryeqytetin në një qendër të gjallërishme dhe dinamike.
Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Mentor Arifaj tha se Kosova gjatë tri viteve të fundit është bërë gjithnjë e më shumë vend tërheqës dhe atraktiv për vizitorët.
Ai potencoi se në vitin 2023 janë shënuar rreth 1 milion e 500 mijë netëqëndrime nga vizitorët ndërkombëtar.
Arifaj tha se synojnë që të zhvillojnë edhe më tej turizmin, sipas tij duke ofruar dixhitalizm të tij, përmirësim të infrastrukturës, të vetë udhëzimeve dhe orientimit në turizëm.
Ndërkaq, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Vilma Bello nënvizoi se marrëdhëniet vëllazërore në mes Kosovës dhe Shqipërisë ekzistojnë përtej fushës së turizmit.
Ajo tha se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fuqishme e njohjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe gjithashtu edhe integrimit evropian të saj.
Bello përgëzoi të dyja shtetet për implementimin e marrëveshjeve në fushën e turizmit.
Panairi Ndërkombëtar i Turizmit ‘Kosova 2024’ do të jetë i hapur për vizitorë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme./Z.Zeneli/