Autoritetet në Maryland i kanë ndalur kërkimet në përpjekje për të gjetur edhe katër punëtorë që vazhdojnë të jenë të zhdukur, si pasojë e shembjes së urës në Baltimore, pasi u godit nga një anije me mallra.
“Për shkak të superstrukturës që rrethon ato që ne besojmë se ishin automjetet, dhe sasisë së betonit dhe mbeturinave, zhytësit nuk janë më në gjendje të lundrojnë dhe të veprojnë në mënyrë të sigurt rreth saj. Ne kemi shterur të gjitha përpjekjet e kërkimit”, ka thënë Roland L.Butler, nga policia e Marylandit, raportoi CNN.
Tetë punonjës ishin në urë në momentin e shembjes të martën në mëngjes. Dy prej tyre janë nxjerrë të gjallë, trupat e dy të tjerëve janë gjetur të mërkurën vonë, derisa katër të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe supozohen të vdekur po ashtu./Koha.net