Pejë, 05 mars 2024
Sot u mbajt ceremonia e certifikimit dhe anëtarësimit të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës në Rrjetin e Spitaleve Promovuese të Shëndetit, ku ky spital tashmë i është bashkuar komunitetit botëror të spitaleve promovuese të shëndetit (HPH).
Në këtë ceremoni mori pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Naim Bardiqi, Përfaqësuesja e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, znj. Merita Mustafa, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit Ndërkombëtar të HPH-së, Prof. Dr. Oliver Gröne me ç’rast i ndau certifikatën Drejtorit të Spitalit, Dr. Fazli Shala.
Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi, me një fjalë rasti, përgëzoi Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për arritjen e madhe të anëtarësimit në Rrjetin e Spitaleve Promovuese të Shëndetit, dhe theksoi se duke u bërë pjesë e barabartë e rrjetit global e sjell spitalin në nivele të reja për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Spitalet promovuese të shëndetit (HPH) janë institucione të kujdesit shëndetësor që kanë prioritet promovimin e shëndetit dhe mirëqenies krahas kujdesit tradicional mjekësor. Procesi i anëtarësimit të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës në rrjetin e HPH është mbështetur nga projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë.
Certifikata është rezultat i angazhimit intensiv të drejtuesve dhe stafit të spitalit për të përmbushur standardet e spitaleve promovuese të shëndetit.