Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Si detektohen sëmundjet e gjëndrës tiroide – intervistë me endokrinologun, Genc Shala

Albina Selmanaj

Gjëndra tiroide është një gjëndër e vogël në formë fluture e vendosur në bazën e qafës, pak më poshtë mollës së Adamit. Nga kjo gjëndër sekretohet hormoni i tiroides, i cili përmes qarkullimit të gjakut arrin në të gjitha pjesët e trupit dhe kontrollon metabolizmin e trupit.

Ka disa sëmundje të ndryshme të gjëndrës tiroide, të cilat mund të ndikojnë në prodhimin e hormoneve tiroide. Për të shpjeguar më detajisht rreth diagnostikimit të këtyre sëmundjeve, Familjajonë ka intervistuar endokrinologun e njohur, Genc Shala.

Shala përmes përgjigjeve të tij ka shpjeguar më shumë rreth mundësive të trajtimit të këtyre sëmundjeve dhe po ashtu rreth faktorëve që ndikojnë në përkeqësimin e tiroideve dhe sëmundjeve të këtij organi.

Por për të kuptuar më shumë rreth këtij problemi shëndetësor lexoni intervistën e plotë më poshtë:

1. Si bëhet diagnoza e sëmundjeve të gjëndrës tiroide!

Së pari fillohet me anamneze, ku përfshihen pyetjet për simptomat, që sa kanë filluar simptomat, a kanë dikën në familje me sëmundje të gjëndrës tiroide, a kanë sëmundje tjera, etj. Për diagnostikim të sëmundjeve të gjëndrës tiroide nevojiten analizat e gjakut, ultrazëri i gjëndrës tiroide e ndonjëherë rrallë edhe biopsi dhe scintigrafia e gjëndrës tiroide, e shumë më rrallë edhe rezonanca e qafës!

2. A ka ndonjë rol historia familjare në zhvillimin e sëmundjeve të gjëndrës tiroide?

Po, ka shumë rol, por jo gjithmonë. Prandaj të çdo vizite i pyesim pacientët a kanë në familje dikën me sëmundje të gjëndrës tiroide pasi këto sëmundje shpesh trashëgohen, sidomos te vajzat por kemi raste edhe te djemtë! Edhe pacientët që nuk kanë askënd në familje mund të fitojnë sëmundje të gjëndrës tiroide.

3. Si ndikojnë faktorët mjedisor në shëndetin e gjëndrës tiroide?

Si çdo pjesë e organizmit që ndikohet nga faktorët dëmshëm të jashtëm mjedisor edhe gjëndra tiroide ndikohet. E këto janë: ushqimi i pashëndetshëm, mos aktiviteti fizik (sportiv), stresi, pagjumësi, por me i rëndësishmi në gjëndrën tiroide është rrezatimi.

4. Cilat janë mundësit e trajtimit për sëmundjet e gjëndrës tiroide?

Mundësitë e trajtimit janë të shumta dhe shume të lira. Kryesisht konsistojnë në barna të cilat janë të lira. Te mungesa e hormoneve të gjëndrës tiroide i kompensojmë këto hormone në forme të tabletave që merën terë jetën.

Te prodhimi i tepërt i këtyre hormoneve atëherë japim frenues qe zakonisht trajtimi zgjat deri në dy vite. Noduset e gjëndrës tiroide zakonisht nuk trajtohen por vetëm përcjellën me ultrazë dhe me analiza dhe nëse kemi dyshime që janë shndërruar në tumore atëherë bëjmë biopsinë e tyre. Kanceret e gjëndrës tiroide i trajtomë me operim (largim total të gjëndrës tiroide) dhe trajtimi me Jod radioaktiv, kimioterapia është jashtëzakonisht e rralle!

5. A ka ndonjë lidhje midis sëmundjeve të gjëndrës tiroide dhe sëmundjeve të tjera të sistemit endokrin?

Sëmundjet e gjëndrës tiroide zakonisht janë sëmundje auto imune prandaj edhe kane lidhshmëri (apo paraqiten në të njëjtën kohë) edhe me sëmundjet tjera autoimune si: Sëmundje e Adisonit, Diabeti tip 1,Vitiligo, artriti reumatoid, etj. Pastaj disa tumore te gjëndrës tiroide paraqiten ne të njëjtën kohë edhe me tumore tjera te sistemit endokrin si p.sh. tumoret e gjëndrave paratiroide, tumoret e pankreasit, tumoret e hipofizes, tumoret e gjëndrave mbiveshkore, etj. Pra sistemi endokrin është shume i ndërlidhur.

Dr. Genc Shala

Internist – ENDOKRINOLOG

Youtube

Arkiva

Kategoritë