Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Rritje e rasteve të fruthit në Evropë, këto janë ndër shtetet më të prekura

Evropa po përjeton një “rritje alarmante” të rasteve të fruthit, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të martën, me një rritje më shumë se 30-fish në të gjithë rajonin në vitin 2023.

Më shumë se 30,000 raste të fruthit u raportuan nga 40 prej 53 vendet anëtare të rajonit evropian të OBSH-së midis janarit dhe tetorit të vitit të kaluar, krahasuar me 941 raste në 2022, raporton Euronews përcjell Gazeta Shneta.

Rritja e numrit të rasteve shoqërohet me shtrimin në spital të 21,000 personave dhe pesë vdekje të lidhura me fruthin.

OBSH thotë se ky trend rritës pritet të vazhdojë nëse nuk merren masa urgjente për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Agjencia shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar tashmë një “incident kombëtar” mbi një shpërthim në Anglinë qendrore.

Virusi praktikisht u zhduk në Evropë gjatë bllokimeve të COVID-19, por “numri i përgjithshëm i rasteve të fruthit në BE/EEA është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga qershori 2023,” tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) në raportin e saj të fundit javor.

Krahas Britanisë së Madhe, Rumania është në alarm të kuq. Dhjetorin e kaluar, ministria e shëndetësisë e vendit shpalli një epidemi kombëtare të fruthit pas një rritje shqetësuese të rasteve dhe një numri të lartë të shtrimeve në spital mes fëmijëve të infektuar.

Që nga njoftimi, katër persona të pavaksinuar – tre foshnja dhe një i rritur – vdiqën për shkak të fruthit, sipas mediave lokale dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Ky i fundit konfirmoi 2805 raste të virusit në Rumani vitin e kaluar.

Austria ka luftuar kundër fruthit që nga fillimi i vitit 2023, me pothuajse 200 raste të regjistruara përmes sistemit të raportimit epidemiologjik.

Në Francë, një shpërthim fruthi filloi në një shkollë në komunën juglindore të Guilherand-Granges në shtator. Nga mesi i nëntorit, u konfirmuan 64 raste, dy prej të cilave duhej të shtroheshin në spital, njoftoi agjencia rajonale e shëndetësisë.

Gjermania regjistroi 57 raste vitin e kaluar, që ishte më i lartë se në vitin 2022, por më i ulët se nivelet para pandemisë.

Vlen të ceket se Hungaria (99 për qind), Sllovakia dhe Portugalia (96 për qind) janë vendet e BE-së me nivelet më të larta të vaksinimit të fruthit, ndërsa Estonia (68 për qind) dhe Rumania (71 për qind) kanë nivelet më të ulëta të vaksinimit kundër fruthit.

Siddhartha Datta, këshilltari rajonal i OBSH-së për Evropën rreth çështjes së imunizimit ka thënë se:

“Vaksinat e fruthit që ne kemi janë të sigurta dhe efektive. Ato janë përdorur për vite tani dhe kanë qenë në gjendje të parandalojnë kaq shumë vdekje dhe sëmundje në rajonin evropian,” shpjegoi ai në një konferencë shtypi javën e kaluar.

Virusi është më i zakonshëm tek fëmijët. Simptomat mund të përfshijnë temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh dhe skuqje.

Dy dozat e vaksinës MMR (Fruth-Rubellë-Parotit), janë 96 për qind efektive kundër fruthit, sipas Vaccine Knowledge Project, i menaxhuar nga Grupi i Vaksinave të Oksfordit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë