Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, këtë të hënë ka marrë pjesë në konferencën “Preferencat Gjinore dhe Aborti Selektiv – Diskriminimi Gjinor dhe Praktika të Dëmshme ndaj Vajzave”.
Ministri Vitia ka thënë se kjo konferencë ka për qëllim të vë në pah dhe të adresojë rëndësinë e veprimeve institucionale që lidhen me sfidat e realizimit të të drejtave të grave.
“Shtypja ndaj vajzave dhe grave ka forma e rrënjë të ndryshme, mirëpo përmban të njëjtën natyrë. Kjo nuk është një betejë që fitohet lehtë, por as si një betejë e paarritshme. Në këtë betejë nuk duhet veç solidaritet midis grave, por mbi të gjitha na duhet më shumë se kurrë solidaritet ndërmjet nesh, solidaritet njerëzor. Është tek njerëzorja midis nesh që të kapërcejmë biologjinë, determinizmin e natyrës dhe ndëshkimin për shkak të saj”, ka thënë ministri Vitia.
Ministri Vitia tutje ka thënë se duke pasur parasysh faktin se Kosova ka pasur tradicionalisht një sistem shoqëror të bazuar në patriarkat, ku jeta ka qenë e organizuar në këto premisa që kanë kultivuar dominimin dhe formën e pushtetit të njeriut mbi njeriun në baza gjinore, duke theksuar edhe faktin se ky sistem ka ndikuar dhe vazhdon të ndikoj në vendimmarrjen e lindshmërisë, sidomos në preferencën e zgjedhjes se gjinisë.
“Është çnjerëzore detyrimi në çfarëdo forme në heqjen e fëmijës të gjinisë femërore, jo pse ka zgjedhur një grua të abortojë, po sepse partneri apo rrethi familjar është duke ia përshkruar vajzën e ardhshme, të dytë apo të tretë si një vështirësi, si disavantazh. Pavarësisht nga zgjedhja e dikujt, aborti me përzgjedhje gjinore është një rast i qartë diskriminimi me elemente të dhunës fizike dhe asaj psikologjike”, ka shtuar ministri i Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ministritë tjera përkatëse do të vazhdojnë të punojnë me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni shtypës, duke trefishuar numrin e inspektorëve shëndetësorë (proces ky para përfundimit), digjitalizimin dhe implementimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISh), ngritjen e vetëdijes dhe edukimit shoqëror, si dhe masa të rrepta ndaj atyre që shkelin ligjin.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FMinistria.Shendetesise.RKS%2Fposts%2Fpfbid0hYn5Jiv4SHbpTEFyMd6RaW2rPfbYTjjcu8MZNK6AueN8jPmf1Em4xf7SWUs4LDvdl&show_text=true&width=500