Kosova në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022 ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se këto kanë qenë rezultate të pritshme duke pasur parasysh problemet me mësimin gjatë pandemisë.
Gjithashtu, Ministria e Arsimit ka thënë se ka rënie të pikëve në fusha të ndryshme nga 12 deri në 6 pikë në krahasim me testin e vitit 2018, kur PISA u mbajt për herë të fundit.
“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme”.
“Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”.