Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi të mërkurën ilaçin e diabetit të tipit 2 “tirzepatide” për përdorim edhe në trajtimin e obezitetit.
Ilaçi, i quajtur “Mounjaro” për diabetin, do të quhet “Zepbound” për humbje peshe, sipas një njoftimi nga FDA.
Është pjesë e një klase të re ilaçesh që përfshin “semaglutide”, të njohur tashmë si “Ozempic” për diabetin dhe “Wegovy” për humbje peshe, të cilat janë rritur në popullaritet vitet e fundit.
Tirzepatide funksionon duke imituar hormonet që stimulojnë lirimin e insulinës, rrisin ndjenjën e ngopjes dhe reduktojnë oreksin.
Ai synon dy receptorë hormonal, GIP dhe GLP-1, ndërsa semaglutide fokusohet vetëm në GLP-1.
Zepbound në provat klinike ka treguar sukses më të madh me 20% humbje peshe më shumë se sa barnat tjerë që ekzistojnë në treg.
Ashtu si medikamentet e ngjashme, merret si një injeksion që pacientët i japin vetes një herë në javë dhe rekomandohet bashkë me një diete me kalori të reduktuara dhe aktivitet fizik të shtuar.
Por mjekët apelojnë që këto ilaçe të merren nën kontrollin e rreptë të mjekut pasi mund të shfaqin edhe efekte anësore si marramendje, të vjellura, diarre, kapsllëk.
Çdo medicament ka të mirat që jep për shëndetin por edhe dëmet që i shkakton për një afat kohor më të gjatë.
Personat që përdorin medikamentet e diabetit edhe për dobësim mund të kenë inflamacion të pankreasit, problem të fshikëzës së tëmthit, hipoglikemi, retinopati diabetike, dhe probleme në shëndetin mental.
Mirëpo, studimet kanë treguar se pacientët mund të rifitojnë një pjesë të peshës që humbën nëse ndalojnë marrjen e ilaçeve.
“Obeziteti dhe mbipesha janë probleme serioze që shkaktojnë sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe diabeti”, tha Dr. John Sharretts, drejtori i FDA-së i Divizionit të Diabetit, Çrregullimeve të Lipideve dhe Obezitetit, tha në njoftimin për shtyp të FDA-së.