Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
SHBA miraton vaksinën e parë kundër virusit që po përhapet me shpejtësi nga pickimi i mushkonjave

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar vaksinën e parë në botë për chikungunya (një virus që përhapet përmes pickimit të mushkonjave), të cilën e sheh si një “kërcënim global shëndetësor”.

Sëmundja e shkaktuar nga pickimi i mushkonjave, veçanërisht  i  mushkonjave Aedes aegypti dhe mushkonjave Aedes albopictus, shfaq si fillim simptoma të tilla si ethe, dhimbje kyçesh dhe mund të jetë fatale për të sapolindurit.

Miratimi i FDA-së pritet të përshpejtojë përhapjen globale të vaksinës, sepse kjo sëmundje po përhapet çdo vit e më tepër. Agjencia federale e Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në SHBA, bën me dije se vetëm këtë vit, janë raportuar që nga shtatori rreth 440,000 raste me chikungunya, përfshirë 350 vdekje. Amerika e Jugut dhe Azia Jugore kanë parë numrin më të madh të rasteve këtë vit.

“Vaksina e quajtur Ixchiq është miratuar për individët e moshës 18 vjeç e lart të cilët rrezikohen më tepër nga infeksioni”, tha FDA të premten

Zyrtari i lartë i FDA, Peter Marks, shprehet: Infeksioni që shkaktohet nga virusi chikungunya përbën një problem serioz veçanërisht për të moshuarit dhe individët me problematika të mëparshme mjekësore.

Sipas burimeve të FDA, të paktën pesë milionë raste chikungunya janë raportuar që nga viti 2008. Simptoma të tjera përfshijnë skuqje, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore. Dhimbjet e kyçeve mund të vazhdojnë për muaj apo edhe vite.

Njerëzit në rajonet tropikale dhe subtropikale të Afrikës, Azisë Juglindore dhe pjesëve të Amerikës janë në rrezikun më të lartë të infeksionit sepse mushkonjat që bartin virusin chikungunya, janë endemike në këto zona.

“Megjithatë, virusi chikungunya është përhapur në zona të reja gjeografike duke shkaktuar një rritje të përhapjes globale të sëmundjes,” shprehet ndër të tjera FDA.

Të dhënat nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve treguan se Brazili ka pasur numrin më të madh të rasteve deri më tani këtë vit me 218,613, ndërsa më shumë se 93,000 raste janë raportuar edhe në Indi.

Top Channel

Youtube

Arkiva

Kategoritë