Qeveria e Kosovës sot e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale.
Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, të gjithë ministrat kanë votuar pro.
Sipas ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Muratit, në skemën e pensionit bazik janë rreth 70 mijë persona që do të përfitojnë nga kjo.
“Një diskriminimin është mbajtur pragu për 15 vite stazh pune, mirëpo nuk janë marrë parasysh rrethanat e largimit të dhunshëm nga puna të atyre që kanë qenë duke punuar që nga viti 1989 e më pastaj në hyrjen në fuqi të masave të dhunshëm”.
“Si rezultat shumë persona kanë mbetur, edhe pse punuan për 14 vite e 11 muaj, për shkak të largimit të dhunshëm nuk kanë mundur të arrijnë që ta plotësojnë kushtin prej 15 vitesh. Me këtë rast, me këtë ndryshim të këtij plotësim ligji ne po e zhbëjmë atë diskriminim”.
“Sepse do t’u mundësohet që nga momenti që janë larguar nga puna deri në vitin 1999, do t’u llogaritet drejtë plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, ndërkaq lartësia e pensionit pastaj do të caktohet bazuar në vitet që kanë kontribuar në fontin pensional”.
“Pra, do të thotë të largohet diskriminimi i prerjes, me këtë po e heqim këtë diskriminim që ta llogarisim edhe periudhën kur janë larguar nga puna. Nga ky plotësim-ndryshim janë 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin për të ndryshuar nga ky ndryshim plotësim i ligjit, vlerësimet tona janë rreth 70 mijë persona duhet të jenë që marrin bazik, dhe do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontribut pagues të moshës”, ka thënë Murati.