Niveli i ulët i glukozës në gjak (i njohur si hipoglicemia) është një shqetësim për këdo që trajtohet për diabet. Mund të ndodh kur merr më shumë insulinë, nuk ha mjaftueshëm, ose ushtrohesh më shumë se zakonisht. Mund të ndodh edhe kur bën maksimumin për menaxhimin e diabetit. Ndaj, është e rëndësishme të dish të gjitha shenjat paralajmëruese. Është e rëndësishme që këto shenja të njihen edhe nga familjarët dhe miqtë.
Cila është vlera e ulët?
Shumica e njerëzve kanë simptoma kur niveli i glukozës në gjak bie nën 70 mg/dl. Por nuk është njësoj për të gjithë. Mund të ndjeni të dridhura në trup edhe në nivele më të larta të glukozës se kjo. Me kohën do të kuptoni vet se cila është vlera shqetësuese për ju.
close
volume_off
Cilat janë simptomat?
Edhe kur niveli i glukozës në gjak bie vetëm minimalisht, mund të ndiheni nervoz dhe ankthioz. Kjo ndodh për shkak të adrenalinës. Trupi juaj e prodhon këtë hormon kur niveli i glukozës në gjak fillon e bie.
Mund të keni edhe simptoma të tjera si:
– Irritim
– Dridhje
– Marrje mendsh
– Rrahje të shpeshta të zemrës
– Uri
– Lodhje
– Konfuzion dhe vështirësi në përqendrim
– Djersitje dhe ethe
– Dobësi dhe këputje trupore
Nëse nuk e korrigjoni menjëherë nivelin e glukozës në gjak, simptomat mund të përkeqësohen. Mund të keni:
– Shikim të turbulluar
– Problem me të folurën
– Konvulsione
– Humbje ndjenjash
Këto simptoma më serioze janë shumë të rrezikshme dhe kërkojnë trajtim emergjent. Familja juaj ose miqtë duhet të njihen me këto simptoma për të ditur si të veprojnë nëse ndodh të jenë afër jush.
A mund të kemi hipoglicemi të pa shoqëruar me simptoma?
Shumë njerëz me nivel të ulët të glukozës në gjak nuk kanë simptoma. Kjo mund të ndodh, pas shumë episodeve të përsëritura të hipoglicemisë, në persona që kanë një periudhë të gjatë që trajtohen me diabet dhe tashmë nuk i vënë më re simptomat. Ajo çka mund të ndihmoj në këto raste është matja e herë pas hershme e nivelit të glukozës në gjak.