Shoqata Sindikale e QKUK, ka bërë të ditur se të mërkurën do të protestohet lidhur me pakënaqësitë në lidhje me koeficientin dhe pagat tek stafi i mesëm administrata dhe ai mbështetës të punonjësve shëndetësor. Bëhet e ditur se protesta do të mbahet para hyrjes së administratës qendrore të ShSKUK-së.
Por kryetari i Sindikatës së Punëtorëve shëndetësor të QKUK-së Perparim Berisha thotë për “Indeksonline”, se protestat janë thirrur nga një shoqatë, e cila nuk ka asnjë anëtarë dhe janë përjashtuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, e cila u ka bllokuar dhe xhirollogaritë.
” Ata po mundohen me përfitu . Kanë qenë në kuadër të federatës, kanë pasur pakënaqësi dhe se s’kanë anëtarë. Federata i ka përjashtu dhe ua ka blloku xhirollogaritë”, tha ai.
E të njëjtën gjë e pohon dhe kryetarja e Federatës Sindikale së Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) Tevide Imeri. Imeri për “Indeksonline”, ka pohuar se Shoqata e cila ka paralajmëruar protestë për punëtorët shëndetësor, nuk është legjitime dhe se nuk ka asnjë anëtarë.
“Është një shoqatë që është e regjistruar dhe ka anëtarësi. Dhe është një shoqatë që shtatë muaj nuk e ka asnjë anëtarë. Kjo që është nën ombrellën e Federatës nuk ka ftuar protesta. Në fakt kemi qenë duke biseduar për protesta, por nuk e kemi caktuar datën. Me gjasë ata kanë ndëgjuar për lëvizjet që kemi me i bë ne dhe pastaj janë ngutur, me dal në pah dhe për shkak të mungesës së anëtarësisë. Thjeshtë ata nuk janë legjitim, e kanë humbur legjitimitetin ligjërisht në mënyrë automatike. Sepse ligji thotë se tre muaj nëse nuk je anëtarë, e humb legjitimitetin. Nuk janë në koordinim me neve pasi që në mënyrë automatike e kanë humbur legjitimitetin. Që shtatë muaj s’janë anëtarë dhe nuk kanë përfill asnjë vendim të këshillit drejtues të FSHSK-së. Nuk e di në çfarë cilësie janë duke e thirrë protestën”, tha ajo.