Një dietë e shëndetshme ka mundësi t’i zgjidhë shumë nga problemet tona, kështu që është jashtëzakonisht e rëndësishme të kujdeseni për dietën tuaj kur vuani nga kanceri i gjirit.
Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Ndërgjegjësimi është e vetmja rrugë drejt parandalimit dhe shërimit të kësaj sëmundjeje. Por, gjithashtu është e rëndësishme të keni një dietë të shëndetshme për pacientët me kancer, shkruan portali “Healthy Eating”.
Asnjë ushqim apo dietë e vetme nuk mund të parandalojë apo të shkaktojë kancerin e gjirit. Por, zgjedhjet dietike të një personi mund të bëjnë një ndryshim në rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit ose mirëqenien e tyre të përgjithshme ndërsa jeton me këtë gjendje. Njerëzit po ashtu mund të kontrollojnë faktorë të tjerë në stilin e tyre jetësor, si pirja e duhanit, nivelet e aktivitetit fizik, pesha trupore dhe dieta.
Hulumtimet sugjerojnë se këto ushqime mund ta ulin rrezikun e kancerit dhe ta pengojnë rritjen dhe përparimin e kancerit:
Perime me gjethe jeshile
Perimet me gjethe jeshile, si lakra jeshile dhe spinaqi, janë disa nga zarzavatet me gjethe të errëta që mund ta luftojnë kancerin e gjirit. Ato janë të ngarkuara me antioksidantë që mund t’i shkatërrojnë radikalet e lira që shkaktojnë kancer. Në një studim të vitit 2012 të botuar në Gazetën e Institutit Kombëtar të Kancerit, studiuesit zbuluan se gratë që hanin perime me gjethe jeshile kishin një rrezik shumë më të ulët të kancerit të gjirit sesa gratë që nuk i hanin këto perime.
Perime të familjes Brassica
Sipas ekspertëve shëndetësorë, perimet krucifere si lakra, lulelakra dhe brokoli përmbajnë fitokimikate të njohura si, izotiocianate dhe indole, të cilat duket se kanë një efekt mbrojtës kundër disa llojeve të kancerit, përfshirë kancerin e gjirit. Ato gjithashtu pengojnë rritjen dhe përparimin e kancerit.
Peshku i yndyrshëm
Peshqit yndyrorë si salmoni, sardelet dhe skumbri, njihen për përfitimet efektive shëndetësore. Përmbajtja e tyre e acidit yndyror omega-3, selenit dhe antioksidantëve, mund të ofrojë efekte mbrojtëse ndaj kancerit.
Fasulet
Fasulet janë të ngarkuara me fibra, vitamina dhe minerale. Në mënyrë të veçantë, përmbajtja e tyre e lartë e fibrave mund të ndihmojë në menaxhimin e peshës për të mbijetuarit e kancerit të gjirit, gjë që është shumë sfiduese për ta bërë. Pacientët me kancer të gjirit mund të përfshijnë në dietën e tyre të përditshme fasule, fasule të zeza dhe bizele.
Perimet allium
Hudhra, qepa dhe preshi hyjnë në grupin e perimeve allium që janë të pasura me një sërë lëndësh ushqyese, duke përfshirë përbërjet organosulfurik, flavonoid dhe antioksidantë. Konsumimi i këtyre perimeve mund të ndihmojë kundër zhvillimit të kancerit të gjirit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.