Albina Selmanaj
E njohur si sheqeri në gjak, sëmundja e diabetit dëmton aftësinë e trupit për përpunimin e glukozës në gjak. Kjo sëmundje mund të manifestohet me probleme të shumta në organizmin tonë, nëse nuk i ndërmarrim masat e duhura.
Pasi që sot është Dita Botërore e Diabetit, Familja Jonë ka intervistuar endokrinologun Genc Shala, për të treguar më shumë në lidhje me këtë sëmundje.
Shala, ndër të tjera, foli për shkaqet, tipet dhe mundësitë e shërimit të sëmundjes së diabetit. Ai tha se për momentin nuk ka kure (shërim) sëmundja e diabetit por që njerëzit me diabet mund të jetojnë aq gjatë sa njerëzit tjerë qe nuk kanë diabet, gjë që me herët ishte e pamundur.
1. Cilat janë shkaqet dhe simptomat e diabetit?
Shkaqet kryesore te diabetit janë: jeta pa aktivitete sportive, ushqimi jo i shëndetshëm, trashëgimia, etj., ndërsa simptomat kryesore janë: lodhja, etja, uria, urinimi i shpeshte, humbja e peshës, etj.
2. Sa tipe të diabetit janë dhe cili është më i rrezikshëm?
Janë 3 tipe me të rëndësishme te diabetit: Dibeti tip 1 (i varur nga insulina), tip 2 (kryesisht jo i varur nga insulina dhe ndryshe quhet në popull si diabeti i pleqërisë), diabeti gestacional (ku kemi rritje te sheqerit në gjak të shtatzënat por jo ne nivel sa janë te diabeti i vërtetë). Diabeti me i rrezikshëm është diabeti qe nuk trajtohet si duhet.
3. Cilat ushqime duhet t’i hamë dhe cilat jo kur kemi diabet?
Ushqimet që nuk duhet t’i konsumojmë personat që vuajnë nga sëmundja e sheqerit (diabeti) janë: ëmbëlsirat (ku hyn edhe mjalti) dhe lëngjet (edhe ato alkoolike dhe ato lëngje të prodhuara vet), ushqimet tjera lejohen pothuajse të gjitha por duhet të zvogëlojmë sasinë ditore (diete me sa më pak kalori qe është e mundur, të konsumojmë më shumë perime, proteina e sa me pak karbohidrate-sheqerna dhe yndyra).
4. Cilat janë grupet më të rrezikuara nga diabeti?
Me te rrezikuarit janë njerëzit me mbi peshë, njerëzit qe nuk merën me sport, njerëzit që nuk konsumojnë ushqim të shëndetshëm, ata qe kanë njërin apo të dy prindërit me diabet (pra trashëgimia), njerëzit që kanë shumë stres apo mërzi, etj.
5. A mund të shërohemi nga diabeti?
Më vjen keq të them por për momentin nuk ka kure (shërim), por në kohet e sotshme diabeti mbahet mjaft mirë në kontrolle me dieta dhe barna sa që komplikimet nga diabeti janë zvogëluar në masë shumë të madhe dhe njerëzit me diabet jetojnë aq gjatë sa njerëzit tjerë që nuk kanë diabet, kjo me herët ishte e pamundur.