Lëvizja Studentore “Studim Kritikë Veprim” ka zhvilluar një aksion simbolik te lokalet e ndërtuara në parkingun nëntokësor.
Me këtë rast ata kanë kundërshtuar hapjen e bizneseve në kuadër të parkingut nëntokësor.
Aty fillimisht është vendosur një shirit që simbolizon rrezikun, e më pastaj janë hedhur letra tualeti.
Kledi Kabashi deputet në Parlamentin Studentor ndërtimin e këtij parkingu e ka quajtur “uzurpim”, teksa fajtor e ka bërë Komunën e Prishtinës.
“Jemi mbledhur këtu, për ta kundërshtuar vazhdimin e uzurpimit të kampusit universitar. Hapësira publike, oborri universitar s’është hera e parë që uzurpohet. Fillimisht nga objektet pa leje të Millosheviqit, e tash fatkeqësisht 22 vite pas luftës ky uzurpim po vazhdon nga Komuna e Prishtinës, që kur filloj punimet e parkingut premtonte se edhe pemët do t’i ruante. Sot asnjë nga ato peme nuk gjendet këtu, të gjitha ato janë dëmtuar e zhdukur”, tha Kabashi.
“Sot në oborrin e universitetit po hapen lokale gastronomie, në vend te bibliotekave. Sepse qëllimi i profiteve është parja dhe jo dija. Pra betoni para gjelbërimit. Ky betonizim nuk i shërben studenteve”, tha Kabashi./eo