Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Sot ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal – Këto janë grupet që kanë prioritet

Të hënën ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal, për qytetarët në të gjitha komunat e Kosovës.  Njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinim i janë përgjigjur numër i madh i qytetarëve të moshuar në Prishtinë.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ata kanë pritur në radhë për t’u vaksinuar.

Doktoresha Xhevrie Canolli, shefe e vaksinimit, tha për Ekonomia Online se vaksinimi në Prishtinë është duke u bërë në 12 qendra të Mjekësive Familjare.

Ajo tregoj se orari në QKMF është nga ora 07:00 e mëngjesit deri orën 20:00 në mbrëmje ndërsa në QMF-të tjera nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 13:30.

“Sot ka filluar vaksinimi, për dallim nga vitet e tjera përveç QKMF-së këtë viti vaksinimi do të bëhet edhe në 12 Qendrat të tjera te Mjekësisë Familjare, me qëllim të ofrimit të këtij shërbimi sa më afër qytetarëve. Orari do të jetë në QKMF nga ora 7 e mëngjesit deri  në 8 të mbrëmjes, kurse në qendrat e tjera do të jetë prej 07:00 të mëngjesit deri në 13:30”, tha ajo.

Doktoresha Canolli u shpreh se vaksinimi mbetët mënyra më e mirë në parandalimin dhe mbrojtjen nga gripi sezonal, duke shtuar se në fillim rekomandohet vaksinimi i personave me rrezikshmëri të lartë.

Ajo shtoi se ka sasi të mjaftueshme të vaksinave.

“Vaksinimi mbetët si mënyra më e mirë në parandalimin dhe mbrojtjen nga gripi sezonal, si grupe prioritare për vaksinim të gripit janë personeli shëndetësor, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike respiratore, me sëmundje kronike të zemrës, me sëmundje të veshkave, diabet, gratë shtatzëne, fëmijët e vegjël mbi 6 muaj, personat kujdestarë të fëmijëve”.

“Në fillim rekomandohet personave me rrezikshmëri të lartë, ndërsa nuk i rekomandohet personave me ndonjë alergji në ndonjë përbërës të vaksinës, me alergji në ve, me sëmundje akute, me temperaturë si dhe fëmijëve nën 6 muaj. Po do të ketë sasi të mjaftueshme të vaksinave, varësisht nga planifikimi që është bërë më herët”, tha ajo.

Shaban Dubova, i cili sa po ishte vaksinuar tha për EO se vaksinimi është duke i ndihmuar për rritjen e imunitetit.

“Po sot u vaksinuam dhe vaksinohemi rregullisht çdo vit. Na ndihmon ne imunitetin e shëndetit. Duhet të gjithë të vaksinohen dhe vaksinimi po bëhej në çdo lagje dhe do të ishte mirë që mos të bëhemi turmë e madhe në një vend po të shkojnë në lagje të tyre edhe të vaksinohen”, tha ai.

Shaban Përvatica, u shpreh se rregullisht është vaksinuar dhe se vaksina i ka ndihmuar.

“Po rregullisht i marrë këto sezonale, edhe tjerat i kam marr, shpresoj që na ndihmon. Po na ka ndihmuar”.

Nezir Bunjaku, u bëri thirrje edhe qytetarëve të tjerë që të vaksinohen dhe ta marrin seriozisht çështjen e vaksinimit.

“Çdo herë jam vaksinuar dhe kam pasur sukses nga to për ruajtjen e shëndetit edhe mirë po bëjnë që janë duke vaksinuar, prandaj i kisha lutur edhe të tjerët që nuk janë vaksinuar që të vaksinohen”.

“Duhet ta marrin me seriozitet dhe te jenë të kënaqur që janë duke u vaksinuar sepse është duke i larguar disa gripe, unë nuk kam pasur problem kurrë çdo herë e kam marr”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se të drejtë për t’u vaksinuar kanë të gjithë personat e moshës gjashtë muajsh e më lart, duke bërë  thirrje që vaksinimi të bëhet sa më herët në mënyrë që të krijohet imunitet para se të fillojë stina e dimrit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë