Është kthyer në trend, por a ka rezultatet zgjedhja e një trajneri personal?
Valon Faiku – nutricionist dhe trajner fitnesi, shpjegojë arsyet përse duhet pasur një trajner personal, kush e ka më të domosdoshëm nga ana e shëndetit, por edhe për një imazh të bukur.
Trendi i ri i të ushtruarit në palestër është ai i të pasurit një trajner personal. Çfarë do të thotë të kesh një trajner personal?
Sigurisht që trendi i ri për sa i përket fitnesit sot (veçanërisht në vendin tonë), është trajneri personal. Të kesh një trajner personal do të thotë të kesh gjatë stërvitjes vëmendjen e një njeriu të specializuar, i cili ju strukturon një program stërvitor sipas kërkesave dhe nevojave tuaja specifike dhe ju ndjek në vazhdimësi.
Cili është dallimi i të ushtruarit në grup nga ai i të pasurit një trajner personal?
Ndryshimi i të ushtruarit në grup nga ai me trajner personal është se stërvitja është e ndërtuar në mënyrë specifike, por njëkohësisht e monitoruar gjatë gjithë procesit nga trajneri. Në këtë mënyrë evitojmë rrezikun për dëmtime, ekzekutim të gabuar të ushtrimit/ve, kontrollit të ngarkesës së stërvitjes apo edhe të një seance stërvitore si dhe dalja nga programi, pasi po shohim dikë tjetër që po ushtrohet ndryshe nga ne dhe përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë si ai/ajo. Pra, nisur nga këto, sigurisht që cilësia e stërvitjes në çdo aspekt të saj do të jetë më cilësore, si rrjedhojë rezultatet e stërvitjes normalisht do të jenë më të mira.
Kush ka nevojë më shumë për të pasur një trajner personal?
Sigurisht që nuk ka ndonjë kriter të veçantë për të pasur trajner personal. Çdokush që ka mundësinë dhe dëshirën, mund ta ketë. Gjithsesi, po ju tregojë disa kategori, duke u mbështetur edhe te kërkesat dhe mesazhet që kam unë në instagram dhe klientelën time.
Së pari, janë persona të cilët kërkojnë një shërbim më cilësor dhe efekte më pozitive nga stërvitja; së dyti, pjesë dërmuese e atyre që nuk kanë eksperiencë stërvitjeje dhe vendosin ta fillojnë atë, persona që kanë profesione të cilat lidhen ngushtë me paraqitjen e tyre fizike si: aktorët, këngëtarët, modelet etj., por edhe persona të cilët kanë status publik si politikane, moderatoret e emisioneve apo spektakleve të ndryshme; të gjithë ata të cilët kanë apo kanë pasur probleme shëndetësore, qofshin ato të natyrës funksionale (sëmundjet kronike, zemra, astma etj.), apo asaj motore (probleme të kockave, muskujve, artikulacioneve, tendinave dhe ligamenteve). Pra kam disa kategori, secila me karakteristika të ndryshme.
Së pari, nga pikëpamja e shëndetit është më e domosdoshme, sepse për vetë problematikat që kanë apo kanë pasur, me një stërvitje në kushte të lira dhe jo të mirëstrukturuar, mirorganizuar dhe mirëvëzhguar, rrezikojnë seriozisht shëndetin e tyre.
Së dyti, nga pikëpamja e imazhit, pra ata që janë persona me imazh publik dhe si të tillë, mirëqenia fizike do t’i ndihmonte në ruajtjen dhe forcimin e imazhit, njëkohësisht do të ishin një shembull i mirë për të gjithë ata që i ndjekin, për sa i përket sjelljes me trupin e tyre dhe mënyrës së jetesës.
Së treti, janë personat që varen nga kultura ose kushtet financiare; jo të gjithë e kanë kulturën e të pasurit një trajner personal dhe jo të gjithë kanë mundësi.
Pra, nuk ka përjashtime, por duket qartë cilët duhet domosdoshmërish të kenë një trajner personal.
Trajneri personal vendos dhe për dietën ushqimore të klientit?
Sigurisht që për të pasur një rezultat më të mirë, kombinimi i stërvitjes me ushqimin luan një rol të rëndësishëm. Nisur nga kjo, unë si nutricionist dhe trajner fitnesi minimalisht duhet t’i japë udhëzimet e duhura ushtruesve për sa i përket mënyrës së të ushqyerit, idealja do të ishte t’ia ofronte si shërbim.
Shumë trajnerë personalë kanë kryer edhe kualifikime për sa i përket ‘nutricion-it’ dhe janë në gjendje ta ndërtojnë personalisht një regjim ushqimor të cilin ushtruesit duhet ta ndjekin. Ata që nuk i kanë kryer këto kualifikime, do ishte mirë të bashkëpunonin me një ‘nutricionist/e’ ose dietolog/e, në mënyrë që të kenë në kontroll jo vetëm sasinë e kalorive ditore që duhet të marrin apo harxhojnë ushtruesit, por çka është shumë e rëndësishme, edhe cilësinë e tyre.
A ka shumë persona që punojnë me trajner personal? Është përqafuar në masë ky trend?
Mund të themi se sot ka persona të cilët punojnë me trajner personal. Nëse i referohemi numrit të atyre që punojnë me trajner personal duket shumë, ndërsa krahasuar me përqindjen e atyre që frekuentojnë qendrat e fitnesit duket pak. Gjithsesi, bazuar nga eksperienca që kam unë, numri ka ardhur në rritje, kjo sepse është kthyer në një trend tashmë por edhe se suksesi nuk ka munguar. E rëndësishme në këtë trend është aftësia e trajnerit për t’iu ofruar ushtruesve shërbimin e kërkuar në mënyrë që të kenë vazhdimësi. Trajneri personal duhet të jetë konkret, i saktë dhe kërkues në detyrat që përcaktojnë së bashku me ushtruesin. Në të njëjtën kohë, duhet të jetë i qartë dhe bindës për faktin se elementi kohë është thelbësor për arritjen e objektivave të përcaktuara paraprakisht.
Valon Faiku – Tregon mbi aktivitetin fizik në reduktimin e stresit.
Cila është grupmosha që ka më shumë kërkesa për një trajner personal?
Faktori moshë! Një tjetër element shumë interesant në punën time. Përgjithësisht në vendin tonë shumica e ushtruesve janë të rinj, 20 deri 40 vjeç. Nuk e dimë nëse kjo vjen si rrjedhojë e moshës mesatare të re të popullsisë që ne kemi, apo si një mungesë kulturës sportive në moshat mbi 40 vjeç. Normalisht edhe kërkesat më të mëdha për trajner personal vijnë nga grupmoshat e reja. Gjithsesi, ka një numër të konsiderueshëm edhe të grupmoshave të tjera, të cilët frekuentojnë palestrat dhe kërkojnë gjithashtu të kenë një trajner personal për organizimin e stërvitjes se tyre.
Pas sa kohësh i shihni rezultatet në fizik?
Rezultatet? Një tjetër pyetje shumë interesante dhe e saktë.
Përgjithësisht njerëzit janë të paduruar dhe presin rezultate të shpejta, por duhet pasur parasysh se asnjëherë nuk duhet shmangur faktori kohë, edhe pse kjo është relative, pasi varet nga disa elemente si: objektivat e paracaktuara, gjendja e fitnesit që ka ushtruesi, kapaciteti dhe gatishmëria për t’u stërvitur, numri i seancave në javë, mënyra e jetesës, arsyet e rënies apo shtimit të peshës për një periudhë të caktuar apo gjendja shëndetësore (sëmundje-trauma). Pra, këto elemente, dhe jo vetëm, duhet të merren në konsideratë para se të vendosen objektivat e të ndërtohet programi dhe ngarkesa e stërvitjes. Nëse një ushtrues ka probleme shëndetësore, sigurisht që koha nuk është një faktor, pasi për këta persona më me rëndësi është shëndeti i tyre dhe jo koha. Madje, sa më shumë të shtrihet në kohë programi, aq më lehtësisht është i përballueshëm nga organizmi dhe përshtatja me ngarkesën stërvitore ndodh në mënyrë graduale e të natyrshme. Në këtë mënyrë, ulet rreziku i përkeqësimit të situatës apo problematikës që ushtruesi mund të ketë.
Nëse kemi një aktor apo model i cili ka një rol apo sfilatë të rëndësishëm, atëherë për këta koha kthehet në një faktor kryesor dhe duhet që trajneri personal të ndërtojë një program i cili të arrijë objektivat e dëshiruara prej tyre brenda një kohe të caktuar. Sigurisht, duke pasur parasysh në ndërtimin e planit stërvitor limitet që ata kanë, pa rrezikuar në asnjë moment shëndetin e tyre.
Pavarësisht gjithçkaje, unë e kam thënë dhe do vazhdojë ta them që aktiviteti fizik duhet të kthehet në mënyrë jetese dhe jo thjesht në diçka të përkohshme.
Vetëm atëherë do te keni gjithmonë rezultate të sigurta, të qëndrueshme në kohë, të cilat do të ndikojnë pozitivisht në çdo aspekt të jetës tuaj.
- Për të gjithë ju miq të Familja Jonë, me shpresën se kemi qartësuar sadopak se si funksionon trajneri personal bashkë me Valon Faikun, urojmë që t’i riktheheni sa më shpejt aktivitetit fizik!
Profili i trajnerit dhe nutricionistit Valon Faiku