Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka filluar punën spitali pediatrik-kirurgjik, i cili është donacion prej 22 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Mbështetur në njoftim, nga 15 shërbime të parapara në këtë spital, pas gjashtë muajsh të inaugurimit janë funksionalizuar vetëm 3 prej tyre. Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se ShSKUK-ja ka vënë në lajthitje institucionet e shtetit.
Spitali pediatrik-kirurgjik, investim 22 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka nisur punën këtë të hënë, por jo me kapacitete të plota.
Nga 15 shërbime të parapara, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht janë funksionale vetëm tri prej tyre.
Por drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se nga 8 ambulancat specialistike të pediatrisë, nuk është funksionalizuar vetëm ajo e traumatologjisë.
“Çështja e funksionalizimit në tërësi të plotë të këtij spitali është çështje javësh, ndërkohë që për t’u funksionalizuar në mënyrën më të mirë të mundshme ne i kemi nevojë dhe bashkë me ministrin e Shëndetësisë kemi analizuar nevojën për rritjen e stafit dhe shumë shpejt do të kemi kërkesa konkrete edhe për staf shtesë për këtë spital”, ka thënë Krasniqi.
Për mosfunksionalizimin në tërësi të këtij spitali, deputeti i opozitës, nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, gjithashtu anëtar i Komisionit për Shëndetësi, ka thënë se kërkojnë llogaridhënie nga ShSKUK-ja.
“Bordi i ShSKUK-së sërish e ka vendosur në lajthitje Ministrinë e Shëndetësisë, ashtu siç e ka vendosur me 13 shtator kur ka bërë inaugurimin e spitalit, i cili nuk ka qenë funksional, nuk ka pasur pranim teknik në shtator dhe nuk ka pasur leje të përdorimit. Dhe dje sërish i vuri në lajthitje institucionet e shtetit, duke e bërë një lloj hapje derisa spitali nuk është funksional me të gjitha shërbimet e tij të plota”, ka thënë Haxhiu.
Në ditën e parë të punës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë spital janë kryer dy operacione të fëmijëve.
Gjatë ditës, MSH-ja nuk ka kthyer përgjigje lidhur me transformimin e shërbimeve të tjera.
Spitali “Sheikha Fatima” ishte përuruar më 13 shtator të vitit të kaluar.