Nënpesha është një problem i shpeshtë te fëmijët. Zakonisht evidentohet nga prindërit, kryesisht nëna ose nga mjeku pediatër, i cili vë re se fëmija nuk është duke u rritur siç duhet ose që pesha e tij nuk si ajo e bashkëmoshatarëve të tjerë.
Kur rënia në peshë duhet t`i shqetësoj prindërit?
Është e rëndësishme që pesha të krahasohet me gjatësinë për t`u siguruar se fëmija është duke shtuar në peshë sa duhet në krahasim me gjatësinë.
Ndonjëherë, fëmijët humbasin peshë kur bëhen më shumë aktivë. Në këto rrethana, pesha e tyre do të bjerë në krahasim më gjatësinë, por fëmija do të vazhdoj të ketë një rritje normale për moshën.
Kur fëmija ka një rënie në peshë të konsiderueshme në një matje të vetme, kjo mund të jetë shqetësuese. Në këtë rast, është e këshillueshme konsulta me një mjek pediatër, i cili do të duhet të ri bëj matjet e fëmijës për të përcaktuar nëse është e nevojshme të identifikohen shkaqet e këtij ndryshimi më tej.
Cilat mund të jenë arsyet e vonesave në rritje të fëmijës?
- Arsyeja më e shpeshtë, që ndodh në rreth 90% të rasteve është sasia e pakët e kalorive të marra. Kjo mund të ndodh kur fëmija nuk është i interesuar për të ngrënë, për shumë arsye. Por mund të ndodh edhe për arsye se prindërit mund të mos kuptojnë nevojat kalorike të fëmijës. Kjo ndodh zakonisht, kur fëmijët janë aktiv por të shëndetshëm përgjithësisht dhe pak të interesuar për ushqimin. Për fëmijë shumë të vegjël, gjatë muajve të ushqyerjes me gji, mund të ndodh për shkak të sasisë së ulët të qumështit të gjirit, ose mos plotësimit adekuat me qumësht formulë.
- Ndonjëherë, fëmija mund të mos arrij të mbaj ushqimin ose formulën për shkak të të vjellave. Këto të vjella mund të shkaktohen si pasojë e një refluksi; një problemi neurologjik i cili mund të shkaktojë humbjen e tonusit muskular apo çrregullimeve të tjera. Shumë fëmijë me refluks mund të përmirësohen me kohën dhe rritja e tyre kthehet e njëjtë me atë të bashkëmoshatarëve të tyre. Më rrallë, fëmijët më të vegjël me të vjella të shpeshta mund të kenë një ngushtim në daljen nga stomaku të quajtur stenoza pilorike, e cila kërkon një vlerësim me anë të një eko abdominale.
- Një fëmijë që nuk shton peshë mund të ketë probleme me tretjen për shkak të kapacitetit të limituar të pankreasit. Në këto raste, prindërit vënë re se fëmija ka jashtëqitje të yndyrshme dhe me erë të keqe.
- Sëmundje të cilat prekin zorrët si, sëmundja celiake ose sëmundja e Crohn, po ashtu mund të ndikojnë në peshën e fëmijës. Në sëmundjen celiake, simptomat nisin me konsumin e ushqimeve me përmbajtje gluteni.
- Në disa situata, fëmija mund të djeg më shumë kalori nëse ka një mbi funksionim të tiroides.
- Një fëmijë me sëmundje të zemrës mund të mos ushqehet sië duhet për shkak të lodhjes dhe frymëmarrjes shumë të shpeshtë.
- Rrallë, fëmijët mund të kenë probleme të veshkave të cilat ndikojnë në rritjen e tyre, për shkak të mekanizmave specifike të rritjes.
- Po ashtu, fëmijët mund të kenë çrregullime gjenetike të cilat ndikojnë në peshën e tyre dhe kërkojnë një investigim më të specifikuar nga specialistët.
- Fëmijët më të rritur ose adoleshentët mund limitojnë kaloritë e marra për shkak të pamjes fizike, çka konsiderohet si insufiçencë nutricionale (e njohur si anoreksia nervosa).
- Fëmija po ashtu, mund të mos ushqehet si duhet për shkak të sensitivitetit të lartë oral ose problemeve të ndryshme neurologjike. Çrregullime të tilla mund të shkaktojnë vështirësi në gëlltitje.
Nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj nuk po shton peshë si duhet, duhet të kontaktoni më një mjek pediatër. Ndër të tjera, nëse rënia në peshë duket shqetësuese, pediatri do të kërkoj për shenja të tjera bashkëshoqëruese si lodhje, zbehje të lëkurës, gjymtyrë të holla etj. Po ashtu, mund të kërkoj analiza shtesë për të vlerësuar për anemi, statusin nutricional dhe funksionin renal, apo për sëmundje të mundshme si ajo Celiake ose deficenca të enzimave pankreatike.
Shumicës së fëmijëve, tek të cilët vonesat në rritje lidhen me sasinë e pakët të kalorive do ju duhen rritje të vogla në sasinë e kalorive që duhet të marrin. Kjo mund të kërkoj pak imagjinatë nga ana e prindit. Pak kalori më shumë mund të vijnë më shtimin e sasisë së vajit, sheqerit ose formula të tjera të kombinuara në dietë.
Fëmijët me probleme të tjera shëndetësore duhet të trajtohen specifikisht sipas rastit për të përmirësuar ushqyerjen dhe si pasojë rritjen.