Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
​Katër shtatzëna me COVID në Gjinekologji, apelohet të vaksinohen edhe nënat gjidhënëse

Shtimi i infektimeve me koronavirus në Kosovë, ka rritur edhe kërkesat për hospitalizim të grave shtatzëna. Vetëm gjatë kësaj jave në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, trajtim spitalor kanë kërkuar katër shtatzëna, njëra prej tyre vazhdon të jetë me oksigjenoterapi.

Drejtor i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, Jakup Ismajli derisa thotë se gjendja e këtyre grave të prekura me COVID-19 është stabile, beson që shtretërit e ndarë në repart të veçantë për të prekurit me koronavirus janë të mjaftueshëm.

“Me shtimin e numrit të pacientëve të cilët janë infektuar me COVID, normalisht që rritet edhe numri i shtatzënave që atakohen me këtë infeksion. Për momentin kemi katër shtatzëna të hospitalizuara në repartin për COVID, njëra prej tyre ka lindur dje, ka lindje normale i kemi edhe tri shtatzëna ku njëra prej tyre është me oksigjeno-terapi. Gjendja e tyre në përgjithësi është stabile…Në repartin e dedikuar për përfundimin e lindjeve dhe për përcjelljen e shtatzënive të pacientëve të atakuar me COVID, i kemi 20 shtretër e kemi sallën e lindjes dhe operacionit, besoj që është e mjaftueshme për ta menaxhuar këtë situatë”, theksoi Ismajli.

Sipas tij, shtatzënat e infektuara janë shtatzënë për herë të parë dhe i takojnë moshës nga 20 deri në 30 vjeçare.

“Ne nuk kemi pasur të rënda, në përjashtim të njërës që dje është pranuar, është me oksigjeno-terapi po shihet që po i atakon edhe moshat e reja sepse të gjitha shtatzënat të cilat janë të atakuar janë të moshës së re…nga mosha 20 deri 30 janë shtatzënitë e para”, u shpreh ai.

Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli thotë se edhe nënat gjidhënëse por edhe ato shtatzënë rekomandohet të vaksinohen, pasi më rrezik është COVID-19 sesa vaksina.

“Një numër i madh i shtatzënave po vaksinohen në tepër botën kështu që nuk po kanë komplikime, kurse edhe tek ato gjidhënëset nuk paraqet asnjë komplikim marrja e vaksinës, mirëpo rekomandohet se komplikimet nga marrja e vaksinës janë disa herë më të vogla sesa sëmundja, kështu si thirrje si apel rekomandohet që të vaksinohen të gjitha shtatzënat”, u shpreh drejtori i Gjinekologjisë .

Gjinekologu Ismajli thotë se në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK brenda gjashtëmujorit të parë kanë lidur mbi 4 mijë bebe.

“Në gjashtëmujorin e parë kemi pasur 4 mijë e 210 lindje nuk vërehet ndonjë rënie në krahasim me vitin e kaluar, shifrat do thotë janë ekuivalente me vitin 2020”, deklaroi ai.

Gjatë kësaj jave Kosova ka shënuar shifra të larta të infektuarve me koronavirus. Ndërsa, si pasojë e kësaj edhe Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga 20 gushti. /kp/

Youtube

Arkiva

Kategoritë