Mbrëmja e 26 nëntorit kishte tronditur tërë vendin, pas një sulmi makabër ndaj një autobusi që vinte nga Gjakova, ku nga të shtënat mbetën të vrarë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.
Menjëherë pas sulmit policia kishte dalë në vend ngjarje dhe ishte duke kryer hetime në disa pista.
Por ditët kalonin dhe Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin, derisa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.
E dy javë më pas, organet e rendit kanë prangosur tre persona të dyshuar lidhur me këtë rast, dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Një gjë e tillë u bë e ditur mbrëmë në një konferencë për media nga Prokuroria Themelore e Pejës. Kryeprokurori Agim Kurmehaj, tha se tre të dyshuarve për sulmin u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Kurmehaj shtoi se për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të zbulojë më shumë detaje.
“Nuk mund të jap më shumë informata ngase do të dëmtonin procesin e hetimeve. Edhe pas arrestimit do të vazhdojmë me intensitet të shtuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, tha Kurmehaj.
Pas lajmit për arrestimin e tre personave për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, kanë reaguar edhe krerët e institucioneve dhe partive politike.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se ky është një mesazh i qartë se askush nuk mund të fshehët pas krimit dhe se drejtësia do të arrijë te secili.
“Organet e rendit dhe drejtësisë i përgëzoj për punën e tyre intensive në dobi të ndriçimit të rastit që na ka tronditur të gjithëve”, ka thënë Haradinaj në një postim në Facebook.
Ndërkaq kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj i ka përgëzuar organet e rendit për arrestimin e tre personave.
“I përgëzoj organet e drejtësisë, në zbardhjen e rastit, konkretisht në kapjen e të dyshuarve në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan. I inkurajoj organet e rendit të shtetit tonë, që të mos ndalen deri në zbardhjen përfundimtare të vrasjes makabre në Gllogjan!” shkroi Ramosaj.
Telegrafi ka mësuar se të arrestuarit janë H.M. dhe dy djemtë e tij, K. dhe M. M. nga Gllogjani
Ditë më parë janë kryer edhe disa bastisje në disa lokacione të caktuara në lidhje me këtë ngjarje. Sipas burimeve, të arrestuarve u është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë kallashnikov.
Dyshohet se motivi i sulmit ndaj autobusit në Gllogjan, ku u vranë tre persona, lidhet me vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, H. M., e cila i dha fund jetës së saj në qershor të vitit 2020.