Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Vitaminat dhe suplementet, e ndihmojnë apo dëmtojnë organizmin?

Në një botë ideale, të gjithë do të kishim një regjim ushqimor të ekuilibruar, ku do të merrnim 100% të vitaminave dhe mineraleve që na duhen, nga ushqimet e freskëta dhe të shijshme, të gatuara në shtëpi.

Megjithatë, në jetën reale, kjo gjë ndodh rrallë. Prandaj për të plotësuar nevojat kanë hyrë në punë suplementet.

Për dekada, mësuam se vitaminat dhe mineralet në formë pilule mund të ndihmojnë në kompensimin e mangësive të vitaminave në organizëm.  

Por a ju bëjnë mirë të gjithë këto shtesa? AgroWeb.org duke u bazuar në studimet e fundit dhe këshillat e ekspertëve të shëndetit, ju njeh më poshtë rreth kësaj çështjeje.

Çfarë tregojnë studimet e fundit për suplementet?

Shkencëtarët e dinë se njerëzit që konsumojnë kryesisht ushqime të pasura me vitamina dhe minerale, priren të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm.

Por, për ata mbetet ende e paqartë nëse lëndët ushqyese që shërbehen në formë pilule, kanë të njëjtin efekt.

Për shembull, një studim zbuloi se marrja e tyre nuk duket se zvogëlon rrezikun e kancerit.

Disa studime të tjera, kanë zbuluar gjithashtu se përdorimi i rregullt i suplementeve nuk ka efekt të drejtpërdrejtë në shëndetin e zemrës ose në uljen e rrezikut të vdekjes së parakohshme.

Mirëpo gjetjet e tyre rezultuan të vërteta për multivitaminat, vitaminën C, vitaminën D dhe shtesat e kalciumit, të gjitha të rekomanduara për shëndetin e zemrës.

Duke u bazuar në këto studime por edhe studime të tjera, shumica e ekspertëve thonë se këto shtesa nuk janë shumë të nevojshme.

A ju dëmton apo ndihmon marrja e tyre?

Ekspertët e shëndetit besojnë e një multivitaminë mund të ndihmojë në kompensimin e disa mangësive në regjimin ushqimor të një personi.

Veçanërisht nëse shmangen grupe të caktuara ushqimesh si mishi ose qumështi.

Ata gjithashtu rekomandojnë suplemente të kalciumit dhe vitaminës D, për ata që janë në rrezik të osteoporozës.

Duke qenë se ende nuk ka prova të forta se këto shtesa do t’ju ndihmojnë, por për sa kohë që merrni një dozë të arsyeshme, ato nuk do t’ju dëmtojnë.

Kur merren në mënyrë të moderuar, shumica e shtesave të vitaminave dhe mineraleve nuk shkaktojnë dëm.

Kombinimi i suplementeve të ndryshëm ose marrja e dozave më të larta se ato të rekomanduara, mund të shkaktojnë efekte të padëshiruara.

Marrja e dozave të larta të vitaminës C mund të çojë në ngërç të stomakut dhe diarre. Doza të larta të vitaminës A, vitaminës D dhe ushqyesve të tjerë mund të çojnë në komplikime më serioze, si probleme të mëlçisë, veshkave, ose një forcim të rrezikshëm të enëve të gjakut.

Shtesat mund të ndërveprojnë me njëra-tjetrën ose me ilaçet që tashmë po merrni, prandaj duhet të tregoni kujdes.

Nëse keni probleme shëndetësore është mirë që paraprakisht të këshilloheni me mjekun tuaj.

Mënyra më e sigurt mbetet gjithmonë ushqimi dhe jo suplementet.

Një regjim ushqimor i pasur me fruta, perime, drithëra, arrorë dhe fara, janë ato që i duhen më së shumti organizmit tuaj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë