Mar, Maj 17, 2022
Banner Top
Banner Top
Vendet e huaja po ia grabisin Kosovës heronjtë e mjekësisë

Albina Selmanaj

Të ndjekësh ëndrrën tënde për gjashtë vite radhazi dhe të punosh drejt saj për të arritur profesionin që e ke dashur gjithmonë, nuk ishte aspak e lehtë për dr.Bujar Prushi. Përgjegjësia e të qenit mjek me profesion për Prushin ishte privilegj, kjo sepse atë e bënte krenar puna e tij  e cila tani më po i dilte në ndihmë dikujt që kishte nevojë.

Por, ta mendosh që me një të ardhme të afërt do të duhet t’i lësh njerëzit e tu mbrapa sepse vendi ku po jeton nuk po i plotëson kushtet për të vazhduar profesionin dhe se e ardhmja më nuk ishte e sigurt, për Prushin ishte një nga goditjet më të mëdha që mori gjatë punës si mjek në Kosovë.

Në një intervistë për Familjajonë, Prushi ndau disa nga të mirat që gurbeti tani më ia ka siguruar, por që njëkohësisht ai  u shpreh i shqetësuar që ikja e mjekëve nga Kosova është ende duke vazhduar.

“Dallimi është i dukshëm, si ne aspektin infrastrukturore, financiarë, mundësisë se specializimit me pagese te kënaqshme, sigurimit shëndetësore shume te mirë. Nga kjo vërehet edhe trajtimi i pacienteve ku nuk ka konflikt interesi ne mes Privat dhe Publik. Këtu qëndron problemi ku pacientët në Kosovë më së shumti vuajnë nga mungesa e sigurimeve shëndetësore, dhe diskrepanca midis shërbimeve Publike dhe Private. Mendoje qe 21 vite shëndetësia me qellim ose pa qellim është neglizhuar duke i shkaktuar pasoja me të mëdha pacientëve dhe mjekëve të rinjë, të cilët janë të mrekullueshëm, por qëllimi është vetëm ikja nga Kosova, fenomen që është ne ter Ballkanin, bile edhe mjeket Gjermane lëvizin në drejtim të Zvicrës ose shteteve skandinave, për shakë të kushteve financiare ndoshta. “, tregoi Prushi.

Ushtrimi i profesionit të mjekut në një vend me kushte si Zvicra është ajo që po e bënë Prushin  të vazhdoj punën atje, por që a e mendon të kthehet ndonjëherë në Kosovë për të vazhduar punën si mjek, ai tha që kjo do të varet nga kushtet që do të krijohen në Kosovë për ta vazhduar më pas kontributin e tij për vendlindje.

“Mendoj për një kohë të ushtrojë profesionin tim në Zvicër, e mandej në bazë të rrethanave dhe kushteve që do krijohen në Kosovë, shpresojmë të japim kontributin tonë në vendlindje, për të cilën u flijuan shume breza.”, u shpreh Prushi.

Ndërkaq, sa i përket përmirësimit të kushteve për mjekët në Kosovë, Prushi tha se në këtë aspekt duhet më shumë punë duke përmendur këtu edhe mos pagesën e specializantëve si një nga mangësitë e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Mendoj që duhet shumë punë në aspektin infrastrukturor, organizativ, si dhe në aspektin e digjitalizimit të sistemit shëndetësor si në mjekësin primare, sekondare dhe terciare. Diçka nuk ecë mirë në aspektin e sigurimeve shëndetësore, pagesat e specializanteve te cilët më të vertet bëjnë punë të madhe po neglizhohen nga secila qeveri dhe ministri. Është mjerim kur shumë specializantë nuk futen në paga të rregullta dhe nuk ua paguajnë as kujdestarit. “, shtoi Prushi.

Tutje, Prushi tha se mjekët që ka Kosova po japin shembull në vende të huaja, ndërsa në anën tjetër vendlindja po i humb ata si pasojë e mos pagesës së duhur duke e cilësuar si një ndër faktorët që po vazhdon ta nxisë migrimin e tyre.

“Kosova ka mjekë të mrekullueshëm, në secilin vend që migrojnë japin shembullin e mirë me punën dhe cilësinë. Andaj potenciali ekziston, vetëm duhet menagjimi dhe akomodimi, ligji i pagave sepse mjeku duhet të ketë page dinjitoze. Ekziston potenciali, por mungon vullneti politik. prandaj ligji i pagave duhet ta rregullojë pas 20 viteve nivelin e pagës në bazë të shkollimit dhe punës.”, përfundoi ai.

Po ashtu, edhe kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Dr.Pleurat Sejdiu në një intervistë të dhënë më herët për Familjajonë ka thënë se ajo që më së shumti po i largon ata nga vendi i tyre është paga e vogël dhe mungesa e kushteve të punës.

Arkiva

Kategoritë