Shkruar nga: Albina Selmanaj
Më shumë se 15 mijë qen endacak bredhin në rrugët e qyteteve të Kosovës, ndërkaq vetëm në muajt e fundit janë sulmuar afro 60 qytetarë . Nga 13 vite shtetësi ky problem nuk është zgjidhur nga asnjëra qeverisje, duke shkelur kështu edhe të drejtën themelore të qytetarëve, atë të lirisë dhe sigurisë. Sulmet e qenve endacak kanë shkuar edhe deri në fatalitet, kur në vitin 2014, ata mbyten 7 vjeçarin, Driton Jashari nga Fushë Kosova. Por, as ky rast nuk shërbejë që qeveria dhe komuna t’i thirrnin arsyes dhe të mos lejonin këtë çështje pas dore edhe pas 8 viteve.
Le që kjo çështje tani e sa vite i ka rrezikuar qytetarët, por edhe parat e tyre dedikuar zgjidhjes së këtij problemi u janë keqpërdorur në atë masë, sa që qentë të cilët janë të shënjuar si të vaksinuar nuk janë të tillë, fakt të cilin e ka pohuar Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ne një intervistë për emisionin KALLXOPERNIME, sipas të cilës është bërë mashtrim me paranë publike.
Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë në vitin 2020 mori buxhet në vlerë 1.3 milion euro për vaksinimin dhe trajtimin mjekësor të qenve endacak. Sipas një deklarate të tyre për KosovaPress, 14 mijë qen endacak janë vaksinuar. Mirëpo përkundër kësaj, qentë endacak ende bredhin rrugëve dhe rreziku nga rritet tani gjatë stinës së dimrit kur kërkesa për ushqim është më e madhe, pre e të cilës po bien qytetarët. Në mesin e rekomandimeve nga Avokati i Popullit në vitin 2020, ishte krijimi i qendrave për strehimin e përkohshëm të kafshëve endacake duke u bazuar në udhëzimin administrativë të vitit 2017, mirëpo edhe pas 5 viteve tashmë të kaluara, shumica e komunave në Kosovë përfshirë edhe atë të Prishtinës nuk kanë të finalizuar një qendër strehimi.
“Gjatë ditës një grua shtatzënë është sulmuar nga qentë endacak derisa po kthehej nga çerdhja e fëmijëve për në shtëpi”, “Një qytetare e Prishtinës përmes rrjetit social Facebook ka ndarë rrëfimin e saj se si qentë endacak e kanë sulmuar djalin e saj 12 vjeçar në rrugët e Prishtinës”, “Tre fëmijë kanë pësuar lëndime nga sulmet e qenve endacakë në Komunën e Podujevës”, “Katër anëtarë të një familje në Suharekë, janë sulmuar mesditën e së premtes, në hyrje të banesës së tyre nga një qen i tërbuar”, këto janë vetëm disa nga rastet kur jeta e qytetarëve të Kosovës është rrezikuar nga sulmet e qenve endacak. Përveç se nuk është zgjidhur ky problem, nuk është zhvilluar asnjë fushatë vetëdijësuese rreth asaj se si qytetarët duhet të sillen me ta. Përkundër faktit që në vitin 2018 janë ndarë 111 mijë euro, edhe tani në vitin 2022 vazhdon të mos ketë një kampanjë lidhur me këtë çështje. Nga ku edhe kuptojmë se faji nuk qëndron te këto kafshë por mungon përkujdesja e institucioneve për to.
Rritja e problemit me qentë endacak nuk po rrit vetëm jo sigurinë te qytetarët por edhe keqkuptimin shoqëror sa i përket tyre. Për fat të keq institucionet në vendin tonë po rrinë dhe përmes heshtjes së vazhdueshme nuk po sjellin zgjidhje. Në rastin konkret nevojitet përpilimi i një organizimi për menaxhimin e qenve endacak dhe trajtimin e tyre në mënyrën e nevojshme, që edhe qytetarët të jenë me të siguruar por edhe qentë endacak mos të ngelen të dëmtuar, gjë e cila do të mundësonte siguri dhe stabilitet.