Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka deklaruar se është shfaqur një “variant të ri shqetësues”, i koronavirusit.
Varianti, me emrin Omicron, u raportua për herë të parë në Afrikën e Jugut, më 24 nëntor. I njohur më parë si B.1.1.529, ai është identifikuar gjithashtu në Belgjikë, Botsvanë, Hong Kong dhe Izrael.
Në një konferencë, ku zyrtarisht është emërtuar edhe varianti i ri, organizata tha se numri i rasteve të këtij varianti duket se po rritet në pothuajse të gjitha provincat e Afrikës së Jugut.
Sipas kreut të OBSh-së, ky variant ka një sërë mutacionesh, ku disa prej tyre vlerësohen si shqetësuese.
“Ky variant ka një numër të madh mutacionesh, disa prej të cilave janë shqetësuese” thuhet nga kreu i OBSh-së Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
OBSh ka thënë se do të duhen disa javë për të kuptuar ndikimin e variantit të ri, pasi shkencëtarët punojnë për të përcaktuar se sa i transmetueshëm është.