Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Valbon Krasniqi jep detaje për gjendjen në ShSKUK: 410 pacientë janë me oksigjeno-terapi

Në 24 orët e fundit, sipas raportit të IKShPK-së, 467 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, duke bërë kështu të jetë shifra më e lartë tash e disa muaj në vendin tonë.

Se situata po rrëshqet drejt një numri të lartë të të prekurve me koronavirus e pranojnë edhe drejtuesit e institucioneve të shëndetësisë ne vend.

Drejtori i ShSKUK, Valbon Krasniqi, në një intervistë për IndeksOnline, ka treguar se situata aktualisht është e menaxhueshme dhe se rritjen e rasteve gjatë ditëve të fundit janë duke e përcjell me vëmendje të veçantë.

Krasniqi ka treguar se aktualisht në spitalet dhe klinikat e ShSKUK-së  janë duke u trajtuar 528 pacientë me COVID-19.

Ndërsa pjesa dërmuese e tyre kanë nevojë për trajtim me oksigjen.

“Numri i pacientëve të shtrirë në spitale gjatë këtyre  dy muajve të fundit është sjell  diku rreth 500 pacientë më së paku ka qenë 460  dhe më së shumti ka qenë 514. Sot kur po flasim në nivel të SHSKUK-së gjendja në spitale dhe në klinik të QKUK kemi 528 pacientë të shtrirë që janë duke u trajtuar. Nga ta 410 kemi me oksigjeno terapi të vazhdueshme”, tha Krasniqi për IndeksOnline.

Ai ka treguar tutje se 29 pacientë janë në gjendje më të rëndë e të cilët po trajtohen në repartet e kujdesit intensiv.

“29 i kemi në gjendje më të rëndë të cilët janë duke u trajtuar në repartet e kujdesit intensiv, 6 prej tyre jam me respirator, të intubuar gjendja e tyre vlerësohet shumë kritike dhe 23 i kemi me metodën tjetër të asistimit me ventilim mekanik”, nënvizoI Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se në ditët e fundit ka pasur tendencë rritjeje të pacientëve që kanë kërkuar trajtim spitalor, e për këtë tashmë dihet ‘fajtori’.

“Ne jemi duke përcjell situatën me vëmendje dhe është e pritshme kjo veçanërisht prej fushatës politike tubimeve ku ka pasur aspak respektim të masave anti Covid dhe kjo tani po reflektohet me numrin e rasteve të reja të shtuara të të infektuarve”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se ai nuk e ka idenë se kur do të vijnë vaksinat.

“Për vaksinën është përgjegjësi Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja dhe ne jemi duke pritur që të vijë vaksina, nuk kam informata të sakta se në cilën ditë mund të vijë vaksina”, theksoi ai.

Ndërsa ka porositur qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë vendimet e institucioneve duke i zbatuar masat anti-Covid.

“Porosia ime për qytetarë është edhe më tutje të vazhdojmë të respektojmë masat, nuk guxojmë të shpërqendrohemi dhe as në aspektin individual dhe as kolektiv, sepse virusi është ende në vend dhe është duke u përhapur në masë”, tha Krasniqi.

Youtube

Arkiva

Kategoritë