Mjeku i cili është duke specializuar në Neurologji në Gjermani, Fatos Morina ka thënë se nuk ka vend për panikë, pasi është një numër i vogël i personave që kanë përjetuar Tromboze trurore pas marrjes së vaksinës AstraZeneca.
Morina ka treguar se kush janë grupmoshat më të rrezikuara, si dhe kur duhet kërkuar ndihma e mjekut.
Ai po ashtu ka treguar se cilat janë rekomandimet aktuale rreth trajtimit të kësaj lloj Tromboze trurore.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Morinës:
Vaksina AstraZeneca, ndërlidhja me trombozën trurore dhe trajtimi i saj
Nga: Dr. Fatos Morina
Kohëve të fundit janë shfaqur disa raste me tromboza te venave trurore ose Sinusëve truror (Lat. Sinus durae matris) pas vaksinimit me Vaksinën “COVID-19 SARS-CoV2-VACCINE“, prodhim nga kompania Britanike AstraZeneca.
E para nuk ka vend për panik, vaksina në fjalë është cilësuar në përgjithësie e sigurt. Në Gjermani nga 1,6 Milion njerëz të vaksinuar me Vaksinë-AstraZeneca, janë diagnostikuar 13 persona me këtë lloj Tromboze të venave trurore prej tyre 12 femra dhe një mashkull. Aktualisht kemi të bëjmë me një rezikshmëri shumë të ulët, prandaj vaksinimi me këtë lloj vaksine duhet të vazhdoj edhe më tutje, pasi dobitë janë shumëfish më të mëdha se sa rreziqet për komplikime të mundëshme.
Kush janë grup moshat më të rrezikuara?
Femrat e moshës 25-50 vjet, veçanërisht në kombinim me faktorët e rrezikut: mbipeshë, përdorimi i kontraceptivëve oral dhe duhan pirja. Burrat nuk përjashtohen nga rrezikshmëria, por gjasat për këtë lloj tromboze tek ata janë dukshëm më të ulëta.
Cili është mekanizmi patofiziologjik që mendohet për momentin se shkakton këtë lloj Tromboze të venave trurore (Lat. Sinusthrombosis)?
Shkencëtarët hemostaziolog në Gjermani dhe Austri janë të mendimit se mekanizmi se si vije deri tek kjo lloj tromboze është shumë i ngjashëm me një lloj sëmundje të njohur prej vitesh në mjekësi: Trombocitopenia e indukuar nga Heparina (Ang. HIT-Heparin Induced Thrombocytopenia). Mendohet se antigjenivaksinal apo vektori bartës i antigjenit në këtë vaksinë, provokon një përgjigjje imunologjike ku vije deri tek krijimi i autoantitrupave kundër receptorëve specifik në trombocitet tona (Fcγ-IIa-Rezeptor) duke shkaktuar një aktivizim enorm të kaskadës prokoagulatore në organizëm e në fund duke rezultuar me tromboza venoze dhe arteriale (HIT-Like-Thrombosis). Këta antitrupa (Anti- Fcγ-IIa-Rezeptor) shfaqen 4-16 ditë pas vaksinimit me vaksinën AstraZeneca.
Kur duhet të kërkohet ndihma e mjekut?
Në rast se kokëdhembja vazhdon edhe pas ditës së katërt pas vaksinimit. Në rast se dhembjet e kokës shoqërohen me çrregullime të të pamurit, me deficite neurologjike (pareza apo paraliza të ekstremiteteve, çrregullime të të folurit) apo sulme epileptike.
Në rast se tek personat me dhembje kronike koke shfaqen kokëdhembje me natyrë dhe intensitet të panjohur deri më tani, apo në rast se dhembjet e kokës nuk përmirësohen fare pas marrjes së analgjetikëve të zakonshëm.
Si diagnostikohet tromboza e venave trurore?
Gold-Standart (standart i artë) për diagnostikimin e trombozave trurore janë Tomografia e Kompjuterizuar (CT) me kontrast angio-venoz apo Rezonanca Magnetike e kokës me ose pa kontrast (MRI me TOF-Venoz apo MRI+kontrast me Angiosekuenca venoze).
Analizat laboratorike që duhet të bëhen tek rastet e dyshuara apo të konfirmuara?
Trombocitet, PTT, INR, D-dimerët, si dhe tek rastet e konfirmuara me CT apo MRI duhet të bëhet HIT-Testi (PF4/Heparin-Antibody).
Cilat janë rekomandimet aktuale rreth trajtimit të kësaj lloj Tromboze trurore?
1. Trajtimi dhe diagnostikimi duhet të jetë multidisiplinarë nga mjekët specialist neurolog, radiolog-neuroradiolog, anesteziolog, transfuziolog dhe biokimist.
2. Të shmangen preparatet që mund të provokojnë HIT (Trombocitopeni të indukuar nga Heparina)
3. Preferohet trajtimi me preparate që nuk shkaktojnë HIT si p.sh. Argatroban, Fundaprinux, Danaparoid.
Pra fare në fund shtrohet edhe një herë pyetja se a duhet të kemi frikë nga vaksinimi me vaksinën AstraZneca? Duke u bazuar në fakte shkencore dhe të gjitha këto që i kam cekur më lartë mendoj se jo, por pacientët e vaksinuar duhet të monitorohen dhe rekomandimet e më sipërme tu shpjegohen me anë të një broshure e cila do duhej ti shpërndahej çdo personi të vaksinuar. Kjo sigurisht që do tua lehtësonte punën si stafit mjekësor po ashtu edhe pacientëve të vaksinuar.
Në vende me sistem të dobët shëndetësor siç është Ballkani e Kosova në veçanti, sigurisht që këto probleme do ta ndërlikonin punën dhe mbase edhe do të fusnin frikë të panevojshme në masë kur kihet parasysh që efektet anësore mund të shfaqën tek një pjesë minimale e pacientëve, por që sa do i vogël të jetë rreziku është detyrë e jona si mjek që informimin dhe vetëdijësimin e pacientëve ta bëjmë me kohë dhe me rekomandimet e nevojshme, në këtë formë edhe frika dhe propaganda do të ishte e barabartë me zero në krahasim me punën dhe vaksinimin sa më parë të çdo njeriu në rruzullin tokësorë nga ky virus vdekjeprurës.
Burimet:
1. Deutsche Gesellschaft für Neurologie (DGN)
2. Gesellschaft für Thrombose- und Hämostaseforschung (GTH)
3. Deutsches Ärzteblatt
4. Paul-Ehrlich Institut
Dr. Fatos Morina
Mjek specializant neurolog
Kinikum Saarbrücken-Neurologie
Akademisches Lehrkrankenhaus der medizinischen Fakultät der Universität des Saarlandes. /ATV