Mjeku i njohur, Tritan Kalo përmes një statusi në Facebook, i ka tërhequr vëmendjen qytetarëve, mjekëve dhe infermierëve duke iu kujtuar se nuk duhet të përqëndrohen vetëm tek Covid-19 dhe të harrojnë virozat e tjera stinore.
Sipas tij, kjo pandemi ka lënë në hije mprehtësinë klinike kërkuese dhe diagnostikuese të infeksioneve të shumta stinore. Kalo, sqaron se jo çdo simptomë e shfaqur gjatë kësaj periudhe si dhimbje fyti, temperaturë mbi 37 gradë apo këputje trupi është domosdoshmërisht Covid-19, pasi këtë periudhë janë të pranishme më shuë se kurrë virozat e stinës.
“Çfarë mundet të fshihet në hijen e infeksionit nga Sars-Cov2/Covid-19….Fiksimi pas rrezikut të përhapjes dhe infektimit nga Sars-Cov2, ka lënë në hije dhe ka zbehur mprehtësinë klinike dhe epidemiologjike kërkuese dhe diagnostikuese, të një sërë infeksionesh të cilat janë të shumtë dhe bashkëshoqërojnë këto muaj të nxehtë të verës.
Temperatura mbi 37 gradë celcius, këputshmëria, gërvishjet e fytit apo dhimbjet e tij, një kollë e lehtë, skuqje apo kruarje të syve, dhimbje barku e ndonjeherë të shoqëruar me të vjella ose të dala diarheike, dalje në lëkurën e trupit por sidomos të këmbëve të elementëve imitues të një infeksioni mykotikë apo ekzantematikë etj., menjëherë e adresojnë vëmëndjen tonë si publik i gjërë dhe si profesionistë, kryesisht vetëm e vetëm ndaj infeksionit Sars-Cov2/Covid-19….Po gabojmë, po mbidiagnostikojmë raste me këtë infeksion, dhe po nënvlerësojmë faktin se kjo stinë kurdoherë është shoqëruar me infeksione të shumta febrile.”- shkruan ndër të tjera Kalo. /Familja Jone