Enj, Mar 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Trajtimi i lëndimeve të gjymtyrëve të sipërme tek fëmijët – Këshilla nga Dr.Nderim Salihaj

Gjatë lojës apo aktiviteteve sportive fëmijët ndodh që të lëndohen dhe të pësojnë ndonjë thyerje të eshtrave. Mirëpo, si shkaktohen lëndimet e gjymtyrëve të sipërme tek fëmijët dhe si duhet të trajtohen këto thyerje, të gjitha këto i sqaron Dr. Nderim Salihaj i cili është specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë në një intervistë për portalin “Familja Jonë”.

Familja Jonë: Si shkaktohen lëndimet e gjymtyrëve të sipërme te fëmijët?

Dr. Nderim Salihaj: Lëndimet e gjymtyrëve të sipërme jane mjaft të shpeshta te fëmijët. Gjatë çdo rrëzimi fëmijët kontaktin e parë më dysheme e kanë me duar. Gjatë këtij impakti vjen deri te dëmtimi i kockave të dorës. Varësisht nga mënyra  e rënies dëmtohen pjesët e ndryshme të dorës.  Për fat të mirë shumica e lëndimeve janë lëndime të lehta dhe me prognozë të mirë.

Familja Jonë: Si trajtohen këto thyerje?

Dr. Nderim Salihaj: Trajtimi në përgjithësi tek këto fraktura është me imobilizim me gips. Në raste më të rralla lëndimet janë më serioze dhe ato duhet të trajtohen me operacion. Lëndimet e fëmijëve pas moshës 12 deri në 14 vjece duhet të trajtohen pothuajse sikur te të rriturit

Ndërhyrjet operative kryhen me tela dhe rrallëherë me pllaka.

Familja Jonë: Cilat janë lëndimet më të shpeshta të gjymtyrëve të sipërme?

Dr. Nderim Salihaj: Lëndimet më të shpeshta janë afër bërrylit dhe afër kyçit të dorës.

Familja Jonë: Cilat janë lëndimet më serioze dhe më të lehta?

Dr. Nderim Salihaj: Lëndimet më serioze janë lëndimet e bërrylit të cilat mund të ndikojnë në të ardhmen në deformimin e bërrylit gjatë rritjes kockore. Lëndimet afër supit dhe të krahut janë më të rralla dhe prognoza është mjaft e mirë. Normalisht trajtohen me imobilizim dhe pastaj me rahabilitim fizioterapeutik.

Familja Jonë: Cilat janë karakteristikat kryesore të thyerjeve te fëmijët dhe si dallojnë ato nga thyerjet tek të rriturit?

Dr. Nderim Salihaj: Kockat e fëmijëve janë shumë elastike, janë lehtë të thyeshme por shumë lehtë dhe shpejtë të riparueshme. Në shumicën e rasteve kocka thehet sikur të ishte degë e njomë e pemës, ku mbështjellësi kockor e mban kockën të pa zhvendosur. Për këtë arsye thyerjet janë më të thjeshta dhe rrallë kemi zhvendosje të plote të kockës. Kockat e fëmijëve i kanë zonat e rritjes që janë mjaft të ndjeshme në lëndim. Lëndimi i tyre mund të sjell deformim të kockës gjatë rritjes.

Në disa raste kocka mund lakohet dhe nuk shfaq fare shenja të thyerjes, kjo është deformim plastik dhe duhet te trajtohet si frakture.

Ligamentet dhe muskujt te fëmijët janë më të forta sesa kockat, ku në shumë raste gjatë lëndimit vjen deri të çkalitja e kockës si pasojë e tërheqjes së vrullshme nga to.

Tek fëmijët kocka ka aftësi remodeluese, çka do të thotë se pas thyerjeve, nëse kocka është konsoliduar në pozitë joadekuate mund të korrigjohet gjatë rritjes së fëmijës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë