Pre, Tet 11, 2024
Banner Top
Banner Top
TRAJTIMI I EPILEPSISË NË SHTATZËNI

Shkruar nga : Dr. Blerim Myftiu – Neurolog

Njëra prej çështjeve më problematike në neurologji është se si të veprohet me gratë që duan shtatzëni apo janë shtatzëna, por njëherësh janë të diagnostikuar me epilepsi dhe duhet medoemos të përdorin terapi për këtë gjendje. Çështja e ndikimit të barnave antiepileptike në fëmijën gjatë periudhës së shtatzënisë dhe efektet po në këtë fëmijë pas lindjes është debat me dekada të tëra. Ka numër raportimesh me efektin e secilit antiepileptik individualisht.

Valproati (Depakin®, Convulex®) është njëri prej barnave më të shpeshta antiepileptike i cili përveç epilepsisë përdoret edhe për trajtimin e migrenës dhe të disa çrregullimeve psikiatrike. Efektet kryesore anësore të tij janë shtimi i peshës, përkeqësimi i cilësisë së flokëve dhe rënia e tyre, si edhe krijimi i cistave në vezore që mund të shkaktojnë çrregullime menstruale dhe probleme për shtatzëninë.

Por, fëmijët e nënave që e përdorin këtë bar gjatë shtatzënisë rrezikojnë të kenë disa probleme zhvillimore mendore në fazat e mëtejme të jetës. Deri tani është raportuar rreziku i shtuar për keqformime kongjenitale (defekte të lindura), funksione të dobësuara kongitive (intelektuale) dhe autizëm në fëmijët e këtyre nënave. Raporti i fundit danez me gati një milionë fëmijë të përcjellë gjatë viteve 1997-2015 sugjeron për rrezikun e shtuar të zhvillimit “të çrregullimit të mangësisë së vëmendjes dhe të hiperaktivitetit”, i njohur me shkurtesën ADHD. 8.4% e fëmijëve nënat e të cilëve kanë marrë Valproat gjatë shtatzënisë kanë zhvilluar këtë çrregullim, karshi 3.2% të fëmijëve nënat e të cilëve nuk kanë marrë Valproat.

Pas përpunimit statistikor, rreziku i fëmijëve të nënave epileptike me Valproat për zhvillim të ADHD-së ka qenë 48% më i madh. Kësisoj, të dhënat e reja na udhëzojnë të kemi kujdes të shtuar me përzgjedhjen e antiepileptikut kur vjen puna te planifikimi i shtatzënisë për pacientet tona me epilepsi. / Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë