Krenare Hoti
Në ditët e sotme, terapia përmes lojës është bërë gjithnjë e më e rëndësishme për fëmijët, e sidomos tek ata me probleme të zhvillimit. Terapia përmes lojës është një metodë terapeutike që përdor lojën si mjet për të ndihmuar fëmijët të shprehin emocionet, të përpunojnë përvojat dhe të zhvillojnë aftësi sociale, emocionale dhe njohëse.
Kjo terapi zakonisht zhvillohet nga psikologë të specializuar, terapistë të zhvillimit ose terapistë okupacionalë. Për këtë arsye, portali Familja Jonë ka intervistuar psikologen dhe terapeuten stimuluese, Vlora Fejza, e cila tashmë ka përvojë në këtë fushë dhe të cilen mund ta gjeni në Institutin për Shërbime Psikologjike “Visar Sadiku” në Prishtinë.
Fejza na ka treguar në detaje rreth këtyre terapive, qëllimeve kryesore pse kryhen këto terapi, qasjet të cilat përdoren, por duke mos lënë anash as rolin e prindërve gjatë këtij procesi.
Më poshtë gjeni intervistën e plotë
- Çfarë nënkuptojmë me “terapi përmes lojës” dhe si ndryshon ajo nga loja e zakonshme?
Loja është thelbësore për zhvillimin e fëmijës. Terapia përmes lojës është një proces i udhëhequr nga profesionistë, që përdor lojën në mënyrë të strukturuar për të ndihmuar fëmijët të mësojnë, të shprehen dhe të përballojnë vështirësi.
2. Cilat janë çrregullimet më të zakonshme të zhvillimit për të cilat përdoret terapia përmes lojës?
Disa çrregullimet e zakonshme përfshijnë autizmin, çrregullimet e të folurit, ADHD, ankthin, traumat dhe vonesa në zhvillim social-emocional.
3. Cilat janë qëllimet kryesore të kësaj forme terapie për fëmijët me nevoja të veçanta?
Qëllimi kryesor është të ndihmojë fëmijët të zhvillojnë aftësi emocionale, sociale dhe komunikimi. Përmes lojës, që është “puna” e tyre, ata mësojnë për veten dhe të tjerët, vetërregullojnë emocionet, ndërveprojnë me mjedisin dhe përmirësojnë mënyrën se si shprehen dhe komunikojnë.
4. Si zhvillohet një seancë tipike e terapisë përmes lojës me një fëmijë që ka vonesa në zhvillim?
Një seancë tipike përfshin lojë të udhëhequr nga terapeuti, ku përdoren materiale të zgjedhura me kujdes për të nxitur ndërveprim dhe shprehje emocionale. Luajmë së bashku për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë si të ndërveprojnë me të tjerët, të ndajnë, të presin radhën dhe të komunikojnë në mënyrë më të efektshme. Gjithçka zhvillohet në një mjedis të sigurt dhe të strukturuar, që i ndihmon të rriten në mënyrë natyrale përmes lojës.
5. A ka ndonjë qasje të strukturuar që ndiqni apo terapia është më e lirshme në varësi të fëmijës?
Terapia përmes lojës mund të jetë e strukturuar ose fleksibile, në varësi të nevojave individuale të fëmijës. Një nga qasjet e njohura është Floortime, e cila fokusohet në ndërtimin e marrëdhënies përmes lojës dhe ndërveprimit në nivelin e zhvillimit të fëmijës. Terapeuti i bashkohet fëmijës në lojën e tij, për të stimuluar zhvillimin emocional dhe social, duke i ndihmuar ata të kalojnë në nivele më të larta të ndërveprimit, komunikimit dhe të menduarit. Kjo qasje është fleksibile, por e bazuar në qëllime të qarta zhvillimore.
6. Çfarë roli luajnë prindërit gjatë (apo pas) terapisë me lojë?
Prindërit luajnë një rol primar në edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Bashkëpunimi me ta është shumë i rëndësishëm, pasi ndihmon në kuptimin e nevojave të fëmijës dhe në zbatimin e strategjive terapeutike në jetën e përditshme, duke forcuar ndikimin dhe vazhdimësinë e terapisë.
7. A mund të zbatojnë prindërit në shtëpi teknika të ngjashme për të ndihmuar fëmijën e tyre?
Po, me udhëzimin e terapeutit, prindërit mund të përdorin teknika të thjeshta për të përforcuar rezultatet e terapisë në shtëpi.
8. A keni ndonjë histori suksesi që mund të ndani me ne – një rast ku terapia përmes lojës pati ndikim të dukshëm?
Po, kam punuar me fëmijë me autizëm dhe me çrregullime hiperaktive, ku terapia përmes lojës ka ndihmuar ndjeshëm në përmirësimin e komunikimit, vetërregullimit emocional dhe ndërveprimit social. Gjithashtu, trajtimi online me prindërit ka rezultuar shumë efektiv, duke u mundësuar atyre të aplikojnë teknikat terapeutike në shtëpi dhe të mbajnë një bashkëpunim të vazhdueshëm me terapeutin, duke sjellë përparime të dukshme te fëmijët.
Psikologen Vlora Fejza si dhe shumë psikologë, terapeutë stimulues për fëmijë dhe logopedë mund t’i gjeni në Institutin “Visar Sadiku” i cili gjendet në Prishtinë, Ferizaj, Podujevë dhe Gjilan.