Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka shpallur të premten ditë zie në Kosovë, në nderim të ish sekretares amerikane, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 84 vjeçare.
Kështu bëri të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në fillim të seancës plenare, seancë kjo që u zhvendos për të hënën.
Mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur të mërkurën në moshën 84-vjeçare.
Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Albright ka vizituar tri herë Kosovën, pak muaj pas përfundimit të luftës 1999, më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit në nderim të saj.
Ajo është gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.
Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes.
“Me zemër të thyer ju njoftojmë se Madeleine K. Albright, Sekretarja e 64-të e Shtetit dhe gruaja e parë që ka mbajtur atë postë, sot ka ndërruar jetë. Ajo kishte kancer”, shkruan në njoftimin e familjes në rrjetet sociale. /Telegrafi/