Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Studimi – Rritja e peshëes tek fëmijët dhe të rriturit mund të lidhet me lëngun 100% me përbërje të frutave

Pirja e një gote ose më shumë lëngu frutash 100% çdo ditë lidhet me një rritje të vogël të peshës tek fëmijët dhe të rriturit, sipas një analize të re të studimeve të mëparshme.

“Një problem themelor me lëngun është sasia; Konsumimi i frutave në këtë mënyrë e bën kaq të lehtë mbidozimin”- thotë bashkautori dhe studiuesi kryesor i të ushqyerit Dr. Walter Willett, profesor i epidemiologjisë dhe të ushqyerit në Harvard T.H. Chan School of Public Health dhe profesor i mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit në Boston.

“Për shembull, sa shpesh hamë tre portokalla? Megjithatë, një gotë e lëngut të portokallit është rreth tre portokalla që mund të konsumohen në një ose dy minuta, dhe pastaj mund ta pimë edhe një tjetër, dhe kjo do të shtojë shumë kalori dhe do të çojë në një rritje të glukozës në gjak”- thotë Willett në një email. 

Me kalimin e kohës, sheqeri i tepërt në gjak mund të çojë në rezistencë ndaj insulinës, sindromë metabolike, diabet, sëmundje të zemrës, obezitet dhe gjendje të tjera kronike, thonë ekspertët.

Ndërkohë që konkluzionet e nxjerra të studimit nuk treguan një shkak të drejtpërdrejtë, vetëm një lidhje, gjetjet ishin “mjaft të vlefshme dhe përputheshin me atë që shohim klinikisht”- thotë endokrinologia pediatrike Dr. Tamara Hannon, anëtare e komitetit të Akademisë Amerikane të Pediatrisë, AAP, për të ushqyerit, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

Për shkak të shqetësimeve në lidhje me shkallën në rritje të obezitetit në fëmijëri dhe kaviteteve dentare, AAP këshillon prindërit dhe kujdestarët që t’i shmangin plotësisht lëngjet për foshnjat më të vogla se 1 vjeç, të kufizojnë marrjen në 113 gram në ditë për fëmijët e moshës 1 deri në 3 vjeç dhe vetëm 170 gram në ditë për fëmijët e moshës 4 deri në 6 vjeç.

Si ndikon lëngu në trup

Për disa, shqetësimi mbi lëngun 100% të frutave mund të jetë turbullues – frutat janë të shëndetshëm, apo jo? Pra, cili është ndryshimi midis frutave dhe lëngut të tij?

Ngrënia e një molle të plotë, për shembull, nuk rrit nivelet e sheqerit në gjak, sepse fruktoza, sheqeri që gjendet natyrshëm në fruta dhe disa perime, lëshohet ngadalë në gjak. Megjithatë, pirja e lëngut të mollës e përmbyt gjakun me fruktozë.

Madhësia e porcionit ka rëndësi

Meta-analiza, e publikuar në revistën JAMA Pediatrics, analizoi 42 studime: 17 te fëmijët dhe 25 te të rriturit.

Tek fëmijët, çdo racion shtesë në ditë me lëng frutash 100% u shoqërua me një ndryshim 0.03 më të lartë të masës trupore, ose BMI, sipas studimit.

Fillimisht, studimi nuk gjeti një ndikim tek të rriturit për shkak të variacioneve në mënyrën e matjes së kalorive. Megjithatë, kur u rishikuan vetëm një nëngrup prej 25 studimesh që përshtateshin për kaloritë, rezultatet treguan një ndryshim të vogël prej 0.02 në BMI.

Sipas CDC, për ta llogaritur BMI-në e të rriturve, pesha ndahet me katrorin e gjatësisë së një personi. Gama e peshës së shëndetshme të një fëmije bazohet në një BMI midis përqindjes së 5-të dhe 85-të në grafikët e rritjes së CDC. Meqenëse llogaritja është më e ndërlikuar, prindërit dhe kujdestarët nuk duhet të përdorin kurrë një kalkulator BMI të rritur për ta përcaktuar statusin e peshës së fëmijës së tyre, tha CDC.

Ndërkohë që ndryshimet në BMI të gjetura nga studimi mund të jenë të vogla për person, “kur shikoni një sasi të vogël në të gjithë popullsinë e botës, kjo është jashtëzakonisht me ndikim, veçanërisht pasi shumica e njerëzve nuk pinë 4 ons lëngje në ditë, që është një shërbim standard”- thotë Hannon.

“Ata po pinë 453, 566, 680 gram lëngje në ditë, gjë që më pas shoqërohet me rritje të konsiderueshme të BMI”- thotë ajo. “Këshilla ime për prindërit është të diskutoni gjithmonë me mjekun tuaj, por mos e konsideroni lëngun si një pije të shëndetshme kur keni etje”.

“Për snacks dhe ëmbëlsira, ofroni fëmijës tuaj fruta të plota nëse fëmija juaj mund t’i hajë ato”- shton Hannon. “Dhe nëse e përdorni lëngun si një servirje frutash, ai duhet të jetë gjysmë filxhani, jo më shumë në ditë”./CNN

Youtube

Arkiva

Kategoritë