Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Studimi: Gjumi jo i mirë rrit rrezikun për demencë

Sipas një studimi të ri, nëse dikush ndihet shumë i lodhur gjatë ditës, sidomos kur plaket, mund të mos jetë thjesht një shqetësim i vogël, mund të jetë një shenjë paralajmëruese për një rrezik më të madh për sëmundje që mund të çojnë në demencë.

Një studim i publikuar në gazetën “Neurology” ka zbuluar se njerëzit që përjetojnë lodhje të tepërt gjatë ditës dhe që kanë mungesë motivi, kanë më shumë mundësi të zhvillojnë një gjendje të quajtur sindromi i rrezikut kognitiv motorik (MCR). Nga ata që kishin probleme me lodhjen gjatë ditës, 35.5 për qind zhvilluan MCR, krahasuar me vetëm 6.7 për qind të atyre që nuk kishin probleme të tilla, ka shkruar CNN.
 

Çfarë është sindromi i rrezikut kognitiv motorik (MCR)?

MCR është një sindromë që karakterizohet nga ecja e ngadaltë dhe problemet me kujtesën te të moshuarit që nuk kanë ende demencë ose çrregullime serioze të lëvizjes. Ata që kanë këtë sindromë janë dyfishë më të rrezikuar për të zhvilluar demencë më vonë, duke e bërë atë një shenjë të rëndësishme paralajmëruese.

Gjetjet e studimit 

Studimi ka analizuar 445 të rritur, me një moshë mesatare prej 76 vjetësh. Studimi u bë në Westchester County, New York. Pjesëmarrësit u vlerësuan çdo vit nga 2011 deri më 2018 dhe studiuesit kanë matur modelet e gjumit të tyre duke përdorur Indeksin e Cilësisë së Gjumit të Pittsburghut, i cili vlerëson shtatë komponentë të gjumit, përfshirë cilësinë, kohën e gjumit, sasinë e gjumit dhe funksionimin gjatë ditës (vështirësi për të qëndruar zgjuar ose mungesë entuziazmi).
Studiuesit zbuluan se ata që kishin vështirësi për të qëndruar zgjuar gjatë ditës kishin 3.3 herë më shumë mundësi të zhvillonin MCR, krahasuar me ata që nuk kishin lodhje gjatë ditës.

Gjumi dhe shëndeti i trurit 

Doktoresha Victoire Leroy, autore kryesore e studimit, ka shpjeguar se hulumtimet e mëparshme kanë lidhur problemet me gjumin me rrezikun për demencë, por ky studim i shqyrton në thellësi aspektet e gjumit dhe ndikimin e tij në shëndetin e trurit, veçanërisht gjatë procesit të plakjes. 

Këto shqetësime me gjumin mund të kontribuojnë në grumbullimin e neurotoksinave në tru, të cilat mund të çojnë në sëmundje si Alzheimer dhe demenca të tjera. 

“Po ashtu, shqetësimet me gjumin mund të aktivizojnë inflamacionin në tru, gjë që është shenjë dalluese e Alzheimerit”, ka thënë Leroy.

Kufizimet e studimit 

Pavarësisht gjetjeve premtuese, studimi ka disa kufizime. Të dhënat mbi gjumin u raportuan nga vetë pjesëmarrësit, kështu që mund të kenë pasur paragjykime, veçanërisht nëse ata kishin probleme me kujtesën. Po ashtu, grupi i pjesëmarrësve ishte relativisht i vogël dhe homogjen,  shumica ishin të bardhë dhe kjo gjë mund të ndikojë në rezultatet e përgjithshme të studimit. 

Studiuesit deklaruan se do të jenë të nevojshme studime të tjera për të konfirmuar këto gjetje.

Çfarë do të thotë kjo për njerëzit? 

Gjetjet e studimit theksojnë rëndësinë e monitorimit të shëndetit të gjumit te të moshuarit. 
Neurologu Richard Isaacson, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, ka sugjeruar që nëse  dikush ka vështirësi me gjumin ose lodhje gjatë ditës, është e rëndësishme që të diskutojë këto probleme me mjekun përkatës. Konsultimi mund të çojë në një analizë më të detajuar të gjendjes dhe krijon mundësi për trajtim të problemeve të gjumit që mund të përmirësojnë shëndetin e trurit.
Po ashtu, ka disa ndryshime në stilin e jetesës që mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut për demencë, përfshirë ushqyerjen e shëndetshme, ushtrimet fizike dhe mendore, si dhe trajtimin e problemeve të shëndetit si humbja e dëgjimit. Parandalimi i dobësimit të shëndetit përmes terapisë fizike dhe ndryshimeve në shtëpi, si shtimi i dritave nëpër korridore dhe heqja e pengesave të tjera të mundshme, gjithashtu mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të trurit.

Pikat kryesore të studimit:

  1. Lodhja gjatë ditës mund të jetë një shenjë paralajmëruese për sindromin e rrezikut të aftësive njohëse dhe atyre motorike, gjë që mund të çojë në demencë.
  2. Ndërhyrja e hershme për t’i trajtuar shqetësimet me gjumin mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për rënien e funksionit të trurit.
  3. Faktorët e stilit të jetesës, si ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik dhe trajtimi i shqetësimeve të gjumit mund të përmirësojnë shëndetin e trurit dhe të reduktojnë rrezikun për demencë.
  4. Me zhvillimin e mëtejshëm të kërkimeve mjekësore, ka shpresë se trajtimi i problemeve me gjumin në fazat e hershme mund të jetë një mjet i fuqishëm në parandalimin e demencës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë