Ministria e Shëndetësisë, në krye me Armend Zemaj, në korrik të vitit 2020 kishte hapur konkursin për specializantë, ku do të pranoheshin 1 mijë e 34 specializantë. Por ky konkurs pastaj u plotësua për specializantë nga Lugina e Preshevës, Malit të Zi, dhe Maqedonisë, me ç’rast numri i specializantëve të pranuar shkoi rreth 2 mijë.
Për këtë konkurs Oda e Mjekeve po kërkon auditim nga ministri i tanishëm Arben Vitia.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurant Sejdiu, thotë për KosovaPress se në këtë konkurs u pranuan rreth 2000 specializantë, ku për shkak të numrit të tejkaluar tani këta specializantë vetëm po enden korridoreve të klinikave specialistike pa pasur mundësi të kyçen në punë.
Sejdiu pohon se specializimet janë ndarë pa u bazuar në kërkesat reale të klinikave, spitaleve, dhe QKMF-ve dhe tani këto specializime kanë lënë QKMF-të pa mjekë të kujdesit parësor.
“Tash kemi problemin gjatë këtyre 2 javëve ne jemi takuar me të gjithë udhëheqësit e institucioneve shëndetësore si atyre primare si atyre sekondare dhe është i njëjti problem. Një kanë mbet pa mjekë në nivelin e mjekësisë familjare, e dyta është që të gjitha pa asnjë përjashtim na kanë bindur me fakte që specializimet të cilat janë ndarë nuk janë bazuar në asnjë pikë në kërkesat reale të tyre, kërkesa të cilat ata i kanë pas duke pasur parasysh ndërrimin e gjeneratave, mungesa aktuale edhe plotësimin e nevojave për zhvillimin e kapaciteteve të spitaleve, dhe ka dhënë specializime ministria pa kërkesa të tyre”, tha ai.
Kryetari i Odës së Mjekëve, thotë se do duhej të ishin rreth 800 mjekë për shkollim specialistë, por janë lëshuar rreth 2000 specializime, për të cilët Sejdiu thotë se nuk di kush janë.
“Ju thatë 1034 apo sa do, e vërteta është që nuk dihet saktë se sa specializime janë lëshuar thuhet për 1700 specializantë. Neve na kanë thënë që janë përmbi 2000 prandaj kemi kërkuar auditim. Sipas të dhënëve tona ne kemi pas një numër prej 600 mjekëve përafërsisht 550-600 mjekëve të pa punë, flas mjekë të përgjithshëm dhe të cilët do të duhej të klasifikoheshin në bazë të vitit të specializimit dhe të hapen konkurse… Të themi se janë 100 apo 150 te tjerë të cilët janë mjekë të përgjithshëm të punësuar në shtëpitë e shëndetit dhe do të mbërrinte numri diku te 700 të them e shtojmë këtu edhe kapacitetet e limituara për specializime nga stomatologjia dhe numri real do të ishte diku tek 800 të gjithë me pagesë flas, e ne kemi diku 2000, kush janë këta të tjerët”, tha ai.
Por ndryshe mendon kryetari i Bordit të specializimeve, Labinot Shahini, i cili demanton Sejdiun duke thënë se nuk janë pranuar 2,000 specializantë, dhe fajëson Odën për bllokimin e konkursit, ku sipas tij ka bërë që shumë mjekë të largohen nga Kosova.
“Nuk është e vërtetë që janë pranuar 2000 specializantë…Sigurimi i kuadrit për institucionet tona shëndetësorë dhe popullatën tonë është gjëja më e rëndësishme që duhet të ndodhë dhe ne e dimë që 4 vite nuk ka pas konkurse për shkollim specialistik, ka qenë një grumbullim i madh i kuadrit shëndetësore, i mjekëve të përgjithshëm, dhe stomatologeve dhe e dimë që gjatë kësaj periudhe një pjesë e madhe e mjekëve për shkak të mungesës së perspektives ndërprerjes së konkurseve për shkollim specialistik dhe fajin e ka pranuar edhe vet oda e mjekëve që nuk ka lejuar me u shpallë konkurset, në anën tjetër këta mund të i shihni këta në deklarata tjera të mëparshme që vet kanë deklaruar që për çdo vit mbi 100 mjekë marrin lejen dhe largohen, tërheqin anëtarësinë nga Kosova duke shkuar të specializojnë jashtë vendit”, tha ai.
Shahini tregoi se konkursi i vitit 2020 fillimisht është shpallur për 1034 vende, pastaj konkurset plotësuese për Luginën e Preshevës, Malin e Zi, Maqedoninë si dhe vendet plotësuese për specializantë të Stomatologjisë ka dërguar numrin në 1400.
“Ne kemi shpallë konkursin e parë me 30 korrik për 1034 vende, mandej e kem plotësuar me konkurs të plotësuar për Luginë të Preshevës kërkesat e tyre, pas dy jave pas këtij konkursi, dhe tash së fundi kem për shkak të kërkesave të vazhdueshme dhe detyrimit tonë të i refuzojmë atëherë kandidatët që kanë ardhur nga Mali i Zi, Maqedonia e kemi shpallë konkurs plotësues dhe atëherë janë pranuar diku 1300 specializantë dhe tash në konkursin e fundit rreth 100 specializantë me vendet e paplotësuara që kanë qenë të stomatologjisë disa lëmive specialistike të stomatologjisë dhe komplet janë diku mbi 1400 specializantë dhe jo 2000”, tha ai.