Enj, Maj 25, 2023
Banner Top
Banner Top
Si të mos lejojmë që frika nga koronavirusi të ndikojë në shëndetin mendor

Coronavirusi! Virusi Korona! Po! Është një situatë serioze dhe kërkon vëmendje dhe vigjilencë të lartë.

Por informacionet e shumta, masat dhe këshillat si nga burime institutesh të shëndetit publik qoftë serioze apo qoftë informacione që qarkullojnë në facebook kanë fuqinë të shkaktojnë ngarkesë në mendjen tuaj.

Kur themi që marrja e masave e ka kaluar cakun? Kur të qenit në “korrent të situatës” e ngarkon mendjen me informacion të tepërt?

Një fakt i vlefshëm është se midis qëndrimit duke injoruar këtë që po ndodh në botë dhe të qenit plotësisht në panik ka një gjendje të ndërmjetme.

Ja disa këshilla:

Redukto burimet e informacionit!

Ka tonelata me informacione në të gjithë rrjetet e informacionit. Sfida është të përcaktosh cili është informacioni i vlefshëm.

Identifikoni disa burime të besueshme për ju dhe mos iu ndani atyre.
 Zgjidhni një burim ndërkombëtar, një kombëtar dhe një lokal që mund të merrni informacion për atë çfarë ndodh në komunitetin tuaj.Kufizoni frekuencën e marrjes së informacionit të ri. Ndodh që gjërat të ndryshojnë me shpejtësi, por kjo nuk do të thotë që duhet të kapni çdo informacion të ri sapo del. Coronavirusi nuk është stuhi, që dmth nuk ka nevojë të informohesh në mënyrë të vazhdueshme si prej lajmeve apo media sociale.

Mësoni kur duhet të shmangeni. 
Përpiquni të mos keni nevojë të dini çdo detaj dhe mësoni të jeni rehat me të mos pasurit e gjërave nën kontroll. P.sh., hiqeni telefonin nga ambienti ku qëndroni që të mos keni shtysën ta kontrolloni gjithmonë.

Praktikoni vetë disiplinën në lidhje me median sociale. 
Nuk është e lehtë në këto kohëra. Po shanset që fluksi i informacionit që merrni nga lajmet e facebook-ut dhe komentet e miqve të jetë ku e ku më i ngarkuar sesa lajmet që do të gjenit nga burimet shkencore apo organizatat shëndetësore. Po mundët c’ínstaloni apps për mediat sociale, kështu do bëhet e vështirë të jeni të lidhur tërë kohën dhe të luani gishtin lart e poshtë në telefon në kërkim të lajmeve.

Vëri emër frikërave

Pandemia është një koncept abstrakt, kështu duhet të uleni dhe të mendoni cilat janë kërcënuesit që ju shqetësojnë. Mendoni se do të sëmureni nga koronavirusi dhe do të vdisni? Frika nga vdekja është një nga frikërat ekzistenciale të njeriut. Por duhet të mendoni cila është frika juaj konkrete dhe sa realiste është kjo frikë. Merrni parasysh rrezikun e vërtetë që keni për të rënë në kontakt me virusin.

Edhe nëse frika juaj më e madhe realizohet dhe ju ose dikush nga familja juaj sëmuret ndoshta as që e keni menduar dot se çfarë mund të ndodhë më pas. Po mund të infektohesh, po mund të kesh nevojë për ilaçe. Por në secilin skenar s`ka pse të mos ketë shpresë. Pse? Sepse njerëzit kanë natyrshëm tendencën për të mbivlerësuar gjasat që diçka do të ndodhë dhe të nënvlerësojnë kapacitetet për t’u përballur me të.

Sigurisht ju mund të keni frikëra të tjera në terma më konkretë. Disa shqetësohen se çfarë do të ndodhë gjatë karantinës, si do vejë halli me pamundësinë për të punuar. Apo si do arrijnë të shkojnë te dyqani për ushqime, apo për gjërat e nevojshme për bebet. Kujdes, duhet të fusni në llogari se njerëzit kanë aftësi shumë të mëdha për të menaxhuar situata të vështira nëse kanë besim se mund t’ia dalin. Këshilla është: bëni një plan, pëpiquni ta ktheni punën nëpërmjet kompjuterit nga shtëpia. Mendoni a keni kursime? A keni dot mbështetje? Pra që të përballoni frikërat do duhet t’i rendisni ato.

Mendoni jo vetëm për veten

Duke qenë se të qenit në veprim të bën ta anashkalosh ankthin, mund t’ju duhet të mendoni sesi mund të ndihmoni të tjerët që mund të preken edhe më shumë se ju nga ky rrezik. Pra në rastin e mbylljes së dyqaneve dhe restoranteve njerëzit që punojnë si punëtorët e shërbimeve të ndryshme, punonjësit e shëndetësisë, apo të tjerë, mund të kenë nevojë për ndihmën tuaj. Është e rëndësishme që të gjithë komuniteti të mendojë si t’i ndihmojë ata. Kështu bëni një plan si të ndihmoni njerëzit që kanë më shumë nevojë sesa ju.

Gjithsesi shumica e masave të marra nuk janë që ta mbajnë larg virusin vetëm nga ju, pra nuk janë individuale. Këto masa kanë qëllim të sigurojnë që komunitete të tëra dhe zona të gjera demografike të mos rrezikohen nga infektimi. Kështu nëse kujdeseni vetë për kohën tuaj dhe shëndetin tuaj kjo mund t’ju bëjë të shikoni efekte pozitive dhe t’ju largojë mendjen nga frikëra abstrakte.

Kërkoni mbështetje por me zgjuarsi

Njerëzit flasin shumë në këto kohëra për të njëjtën gjë. Por nëse doni që të shkoni te një shok dhe të diskutoni për koronavirusin dhe hallet e tua lidhur me të, përpiquni të mos krijoni një situatë ku i përplasni tjetrit frikërat tuaja, në një situatë kur edhe tjetri mund të ketë frikëra po aq sa edhe ju. Këshilla është: nëse jeni të mbushur me frikë, jo domosdoshmërish duhet të përzgjidhni për të folur dikë me të njëjtën nivel frike si ju. Kërkoni një mendim nga dikush që përqaset ndryshe me situatën, një njeri që mund të merret me ankthin tuaj dhe mund t’ju japë ndonjë këshillë.

Por nëse e shihni që nuk po ia dilni të përmbani mendimet e frikëshme, ndihma profesionale është gjithmonë një alternativë e mirë. Në këto kushte s’ka nevojë të jetë ndihmë afatgjatë, mund të jetë e lidhur vetëm me situatën specifike.

Kujdesu për nevojat tuaja bazë

Shkurt mos u merrni me koronavirusin dhe të harroni thelbësoren, mirëqenien e përditshme. Në kohëra stresante, ne tentojmë të zvogëlojmë rëndësinë e nevojave tona bazë. Kështu këshilla është, sigurojini vetes:

  • Gjumë të mirë
  • Ushqim të mirë e në mënyrë të balancuar
  • Ushtrim fizik në kushte shtëpie

Po ashtu mund të praktikoni meditim, ushtrime joge që i gjeni në internet, kujdes për veten si p.sh., për lëkurën e për veten në tërësi dhe mbajeni mendjen larg hamendësimeve të zymta dhe shpesh irracionale.

Mos e gjykoni veten nëse shqetësoheni

Së fundi, mos lejoni që ndjesia e fajit të zëvendësojë ankthin. Kini parasysh se është normale të shqetësoheni dhe të ndjeheni keq. Nëse mendoni sesi të flisni me fëmijët mbi koronavirusin këshillat e profesionistëve janë që së pari të njihni frikën e fëmijëve dhe t’í tregoni atyre se ndjenjat e tyre janë të qenësishme (në lidhje me fëmijët do të flasim në një artikull tjetër). Që t’i rikthehemi të rriturve, thelbësore është të punoni për të kuptuar dhe për të vendosur në kontekst frikërat, kështu që këto të fundit nuk iu pengojnë për të jetuar një jetë të shëndetshme. /Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë