Albina Selmanaj
Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni) është një gjendje e zakonshme në të cilën forca afatgjatë e gjakut kundër mureve të arterieve është mjaft e lartë sa që mund të shkaktojë probleme shëndetësore, të tilla si sëmundjet e zemrës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 54% e goditjeve në tru dhe 47% e rasteve të sëmundjeve ishe mikë të zemrës janë pasojë e drejtpërdrejtë e presionit të lartë të gjakut, i cili kështu zë vendin e tij si ndër faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet dhe vdekshmërinë kardiovaskulare.
Në një intervistë për Familjajonë, kardiologu Artan Ahmeti, tregoi më shumë rreth sëmundjes së hipertensionit dhe problemeve përcjellëse të saj. Ai e përshkroi sëmundjen e hipertensionit si një vrasës të heshtur, kjo sepse sëmundja e hipertensionit mund të mos ketë shenja dhe simptoma paralajmëruese dhe si rrejdhojë e kësaj shumica e pacientëve me hipertension nuk janë të vetëdijshëm për problemin.
Tutje, Ahmeti përshkroi edhe disa nga ndërlikimet që mund t’i shkaktojë hipertensioni, në të cilat bënë pjesë sulmi në zemër, goditja në tru dhe dëmtimi i veshkave, e që përveç tyre nëse nuk tregohemi të kujdesshëm kjo sëmundje mund të shoqërohet edhe me shumë komplikime të tjera.
Intervistën e plotë me kardiologun, Artan Ahmeti mund ta gjeni më poshtë :
Çfarë është hipertensioni?
Presioni i gjakut është forca e ushtruar nga qarkullimi i gjakut kundër mureve të arterieve të trupit, (enëve kryesore të gjakut në trup).
Cilat janë llojet e presionit të lartë të gjakut?
“Janë dy llojet e presionit të lartë të gjakut: Presioni i lartë primar i gjakut . Shkaqet e këtij lloji më të zakonshëm të presionit të lartë të gjakut janë ende te panjohura. Presioni i lartë sekondar i gjakut. Shkaqet e këtij lloji të presionit të lartë të gjakut përfshijnë probleme të ndryshme mjekësore (për shembull probleme me veshkat ose hormonale) ose ndonjëherë një medikament që po merrni. Hipertensioni arterial diagnostikohet kur matje të përsëritura në zyrën e mjekut janë vlerat e rendimentit prej 140/90 mmHg ose më të larta. “
Cilat janë simptomat e zakonshme të hipertensionit?
Hipertensioni quhet një “vrasës i heshtur”. Shumica e njerëzve me hipertension nuk janë të vetëdijshëm për problemin sepse mund të mos ketë shenja ose simptoma paralajmëruese. Për këtë arsye, është thelbësore që presioni i gjakut të matet rregullisht. Kur shfaqen simptomat, ato mund të përfshijnë dhimbje koke herët në mëngjes, gjakderdhje nga hunda, ritme të parregullta të zemrës, ndryshime të shikimit dhe gumëzhimë në veshë. Hipertensioni i rëndë mund të shkaktojë lodhje, nauze, të vjella, konfuzion, ankth, dhimbje gjoksi dhe dridhje të muskujve.
Cilat janë ndërlikimet e hipertensionit të pakontrolluar?
Ndër komplikimet e tjera, hipertensioni mund të shkaktojë dëme serioze në zemër. Presioni i tepërt mund të ngurtësojë arteriet, duke ulur rrjedhjen e gjakut dhe oksigjenit në zemër: Dhimbje gjoksi, e quajtur edhe angina. Sulmi në zemër,dështimi (pamjaftueshmeria) i zemrës, i cili ndodh kur zemra nuk mund të pompojë mjaftueshëm gjak dhe oksigjen në organet e tjera vitale të trupit, rrahje të parregullta të zemrës që mund të çojnë në një vdekje të papritur. Hipertensioni gjithashtu mund të shpërthejë ose bllokojë arteriet që furnizojnë trurin me gjak dhe oksigjen, duke shkaktuar një goditje në tru. Përveç kësaj, hipertensioni mund të shkaktojë dëmtim të veshkave, duke çuar në dështim të veshkave.
Si mund të reduktohet hipertensioni arterial?
Ulja e hipertensionit parandalon sulmin në zemër, goditjen në tru dhe dëmtimin e veshkave, si dhe probleme të tjera shëndetësore. Parandalimi: reduktimi i marrjes së kripës (në më pak se 5 g në ditë). Ngrënia e më shumë frutave dhe perimeve. Të jesh fizikisht aktiv në baza të rregullta. Shmangia e përdorimit të duhanit. Reduktimi i konsumit të alkoolit. Kufizimi i marrjes së ushqimeve të pasura me yndyrna të ngopura. Eliminimi/ulja e yndyrave në dietë. Reduktimin dhe menaxhimin e stresit. Kontrollimi i rregullt i presionit të gjakut. Menaxhimi i kushteve të tjera mjekësore (kontrolla të rregullta mjekësore).