Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Si ndikon vapa tek personat me diabet?

Mezi presim që të kalojnë ditët e ftohta dhe të nxehet moti, por personat me diabet janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj motit të nxehtë dhe vapës siç po ndodhë këto ditë

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe

Është e vërtetë se vapa ndikon në nivelin e sheqerit në gjak.

Vapa e çrregullon nivelin e sheqerit në gjak dhe menaxhimi i sheqerit duhet pasur kujdes sidomos nëse merrni insulinë.

Personat me diabet mund të kenë komplikime të cilat i dëmtojnë fijet nervore të gjëndrave të djersës, prandaj ata mund të mos djersiten mjaftueshëm dhe kjo ndikon seriozisht në shëndetin e tyre kur bën vapë (mund të shkaktohet molisje, alivanosje deri edhe goditje e të nxehtit).

Për më tepër temperaturat e larta mund t’i dëmtojnë edhe aparatet për matjen e sheqerit, prandaj duhet pasur parasysh që krahas kujdesit për veten e tyre, diabetikët duhet t’i mirëmbajnë aparatet e sheqerit, sepse nëse dëmtohen, vlerat joreale të sheqerit që i tregojnë mund të çojnë në dozim të gabuar të barnave.

Kini parasysh që t’i mirëmbani aparatet dhe trakat për matjen e sheqerit!

Ndikimi i vapës në nivelin e sheqerit në gjak varet nga ajo se çfarë keni ngrënë, a jeni të mirëhidratuar dhe çfarë shkalle të aktivitetit fizik keni.

Nëse djersiteni shumë nga vapa dhe nga aktiviteti fizik, atëherë mund të dehidroheni dhe të rritet niveli i sheqerit në gjak. Kjo shkakton urinim të shtuar që akoma më shumë e shton dehidrimin dhe e rrit përqendrimin e sheqerit në gjak. Domethënë formohet një rreth vicioz ku secili komplikim e favorizon një çrregullim tjetër dhe e rëndon gjendjen.

Duhet pasur kujdes edhe me insulinën dhe barnat tjera të diabetit! Insulina duhet të ruhet në temperaturë adekuate dhe nëse e mbani me vete kur është vapë, atëherë nuk e ka efektin e duhur.

Kini kujdes, sepse dehidrimi e ul qarkullimin e gjakut në lëkurë dhe rrjedhimisht ulet edhe mundësia që të absorbohet insulina të cilën e keni injektuar, prandaj pini mjaftueshëm ujë.

Aktiviteti fizik e ulë nivelin e sheqerit në gjak dhe rrjedhimisht edhe nevojën për insulinë, prandaj nëse e shtoni përnjëherë aktivitetin fizik mund të ulet shumë sheqeri në gjak.

Nuk ka nevojë që diabetikët të qëndrojnë mbyllur nëse është vapë, por duhet të konsultohen me mjekun përpara se ta ndryshojnë nivelin e aktivitetit fizik dhe ta shmangin ekspozimin e tepërt në diell.

Kënaquni me verën, por keni kujdes:

▪ Pini shumë ujë

▪ Përcillni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak

▪ Mirëmbani barnat dhe aparatin për matjen e sheqerit

Youtube

Arkiva

Kategoritë