Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Shumë vitaminë D mund të dëmtojë kockat dhe jo t`i ndihmojë ato

Një studim ka treguar se, për disa njerëz, pak është më mirë se shumë kur bëhet fjalë për vitaminën D.

Padyshim vitamina D ju ndihmon të keni kocka më të forta, por janë ngritur disa dyshime se sa është sasia e duhur e vitaminës D që duhet të marrim.
Një studim i publikuar në 27 Gusht në JAMA ka zbuluar se individët që merrnin sasi të larta të vitaminës D në ditë krahasuar me ata të cilët marrin sasi të moderuara të vitaminës D, nuk kishin ndonjë përfitim madhor lidhur me dendësinë e kockave, madje në disa raste shfaqnin rezultate edhe më negative.
Njerëzit në përgjithësi mendojnë se kur pak është mirë, shumë duhet të jetë edhe më mirë. Por kur bëhet fjalë për vitaminën D, nuk ndodh kështu. Edhe pse nuk ka diskutim që kalciumi dhe vitamina D janë thelbësore për shëndetin e kockave, është parë se doza të larta të vitaminës D nuk sjellin përfitime të tjera për shëndetin e kockave, madje përkundrazi mund t`i dëmtojnë ato.

Testimi i dozës së lartë të vitaminës D

Studimi përfshiu më shumë se 300 adultë të shëndetshëm, të cilët u ndanë në 3 grupe. Secili prej grupeve mori përkatësisht nga 400 IU, 4.000 IU dhe 10.000 IU vitaminë D. Të gjithë pjesëmarrësit iu nënshtruan testit për densitetin kockor, të cilat kryhen për të vlerësuar shëndetin e kockave. Ky test u krye te të gjithë pjesëmarrësit në studim para fillim të studimit dhe pas 3 vitesh marrje të rregullt të dozave të mësipërme të vitaminës D.

Për të kuptuar më shumë mbi dozat e rekomanduara në studim duhet të dimë se doza ditore e rekomanduar e vitaminës D për të rriturit deri në moshën 70 vjeçare është 600 IU. Për njerëzit mbi moshën 70 vjeç është 800 IU. Vlera që konsiderohet si më e larta e lejueshme është 4.000 IU, ndërsa 10.000 IU konsiderohet si megadozë, shumë më lartë se çfarë këshillohet normalisht.

Krahasuar me dozën modeste të 400 IU në ditë, rezultoi se densiteti kockor nuk përmirësohej me rritjen e dozës së vitaminës D, madje në disa raste densiteti kockor në këto grupe ishte ulur. Ky përfundim është treguar edhe në studime të tjera ku është analiyuar vitamina D me doza të larta.

Kur themi se është më shumë se c`duhet?

Disa specialistë rekomandojnë doza të vitaminës D që varjojnë nga 5.000 deri nw 10.000 IU në ditë. Por ky studim na sjell në vëmendje disa informacione të cilat na bëjnë të ri mendojnë dozimin e vitaminës D.

Po ashtu, mos të harrojmë se ka disa të dhëna që në disa raste njerëzit e tejkalojnë dozën e vitaminës D duke marrë vetë suplementë. Studiuesit të cilët kanë analizuar të dhënat e mbledhura nga pyetësor kombëtar të shëndetit, të dhëna këto të mbledhura nga viti 1999 deri në vitin 2019, gjetën se 2.8% e njerëzve marrin doza jo të sigurta të vitaminës D – pra më shumë se 4.000 IU në ditë. Të dhënat e kësaj analize janë publikuar në JAMA, në vitin 2017.

Megjithatë, edhe pse shumica e njerëzve duhet të marrë sasi të moderuara të vitaminës D, disa njerëz me gjendje të ndryshme shëndetësore kanë nevojë për doza më të larta të vitaminës D. Ndër këto gjendje përfshihet: Sëmundja e Crohn, Koliti ulcerativ dhe personat pas kirurgjisë së bypass-it gastrik, ku përthithja e nutrientëve është e çrregulluar. Në të kundërt, në personat e shëndetshëm, doza të larta të vitaminës D, janë të pa nevojshme.

Në vitet e ardhshme do të kemi më shumë informacion mbi efektet e mundshme të suplementëve të vitaminës D

Në fillim të viteve 2000 studimet mbi rolin e vitaminës D përtej shëndetit të kockave filluan të zhvillohen me shpejtësi dhe njerëzit filluan të merrnin suplemente të vitaminës D me shpresën se do të mbroheshin nga çdo gjë, që nga sëmundjet e zemrës e deri te kanceri.

Në një studim (VITAL) që është duke u zhvilluar në Harvard Medical School, i cili ka përfshirë më shumë 25.000 persona, po analizohet nëse vitamina D dhe suplemenetet e omega-3 mund të ulin riskun për kancer, sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje të tjera.

Në fakt studimet e kryera mbi suplementet e vitaminës D kanë treguar rezultate të ndryshme, pa një efekt të bindshëm klinik. Ndjekja afatgjatë e personave të studimit VITAL dhe rezultatet që do të përftohen nga studime të tjera në vazhdim mund të ofrojnë më shumë informacion për rolin e vitaminës D në parandalimin e sëmundjeve.

Deri më tani janë publikuar dy meta-analiza (të cilat ndërthurin të dhëna nga studime të shumta) lidhur me vitaminën D. Njëri prej tyre ëshë botuar në muajin Shkurt, në Annals of Oncology ka treguar se Vitamina D ul riskun për vdekje nga kanceri, por nuk ndikon në parandalimin e tij. Ky ndikim mund të tregoj se vitamina D ul agresivitetin e tumorit, e bën atë më pak invaziv, dhe redukton mundësinë e metastazimit.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës duket se suplementet e vitaminës D nuk kanë ndikim. Në muajin qershor, një tjetër meta-analizë u publikua në JAMA Cardiology e cila nuk vërtetoi se vitamina D mund të parandaloj atakun në zemër apo në tru.

Në muajt në vazhdim priten më shumë rezultate nga studimi VITAL për të treguar nëse vitamina D luan rol mbrojtës në funksionet konjitive; në mbrojtjen nga depresioni, insuficienca kardiake, diabeti apo luan rol në reduktimin e infeksioneve. / Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë