Mër, Dhj 8, 2021
Banner Top
Banner Top
Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) kundër grevës së stafit shëndetësor: Pacientët po mbesin pa shërbime

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve (PRAK) ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me grevën e stafit shëndetësor, duke theksuar se shumë pacientë mbesin pa shërbime shëndetësore.

Ky veprim po cilësohet si jo i duhur dhe i padrejtë nga kjo shoqatë dhe se në këto raste mund të protestohet, jo të futet në grevë.

“Ne konsiderojmë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë. Kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes ndërrimit të mënyrës së pagesës, përkatësisht duke e ndarë blerësin nga ofruesi i shërbimit shëndetësor dhe duke e aplikuar pagesën për përformancë. Kjo nënkupton që të paguhet puna e mjekut dhe jo profesioni i mjekut!

Forma të tjera që janë aplikuar deri më tani, por edhe rritja e pagave të stafit mjekësor në të kaluarën, nuk e kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve, ajo ka mbetur e njëjtë edhe 20 vite pas luftës. Prandaj, e vetmja zgjidhje është reformimi i sistemit shëndetësor, përkatësisht implementimi i skemës së Sigurimeve Shëndetësore

Viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë, është i pa drejtë kur e dijmë se ka masa të tjera që mund të përdoren, sic është, p.sh., protesta.

Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se qëllimi final i një shërbimi shëndetësor është shëndeti i pacientit. Nëse Kosova ka institucione shëndetësore të palicencuara si rezultat i të cilave kufizohet edhe ofrimi, përkatësisht pranimi i shërbimit shëndetësor, nëse lista e barnave esenciale nuk është duke u përmbushur, nëse 18% e pacientëve (sipas raportit të progresit për Kosovën) nuk shkojnë fare tek mjeku për shkak të pamundësisë financiare dhe 34% e tyre kanë vështirësi në marrjen e shërbimit shëndetësor, etj … atëherë lind pyetja, a është paga problemi i parë që duhet t’i jepet zgjidhje për të përmirësuar kualitetin dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët?!

Përmes kësaj komunikate, ju bëjmë thirrje përfaqësuesve sindikal që ta ndërpresin grevën dhe Qeverisë së Kosovës të reflektoj ndaj pakënaqësive të palëve dhe të përshpejtoj reformimin e sistemit shëndetësor”, thuhet më tej në reagim.

Arkiva

Kategoritë