Hematologjia është fusha e mjekësisë që ka për detyrë studimin, diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të gjakut, siç mund të jenë: anemitë, leuçemitë, linfomat etj.
Në bazë të patologjisë përkatëse çdo pacient i diagnostikuar me një sëmundje hematologjike (hematopati), i nënshtrohet një sërë procedurash terapeutike, si për shembull: transfusionet e gjakut, kemio e radioterapi ose transplantit hematopoietik të palcës së kockës.
Çfarë është gjaku dhe cilët janë përbërësit e tij?
Gjaku është një ind në gjendje të lëngshme që pompohet nga zemra dhe rrjedh në gjithë organizmin me anë të venave, arterieve dhe kapilarëve. Në të qarkullojnë qeliza dhe elemente bio-kimike të ndryshëm, që kanë si funksion mbrojtjen e organizmit nga infeksionet, transportin e oksigjenit dhe shpërndarjen e nutrientëve në të gjithë organet e trupit.
Sasia e gjakut të një individi varet nga mosha, pesha, gjatësia dhe seksi. Një individ i rritur mund të ketë në trupin e tij përafërsisht 4,5 deri në 6 litra gjak që përbën rreth 7% te peshës së tij trupore. Një nga karakteristikat e gjakut është fakti se qelizat dhe përbërësit e tij rinovohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.
Më shumë se gjysma e sasisë së gjakut (rreth 55%) është e përbërë nga plazma ose lëngu që transporton qelizat, hormonet, nutrientët dhe produket e tjera, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga qelizat e gjakut, si për shembull: rruazat e kuqe, rruazat e bardha dhe trombocitet
Cilat janë dhe ku prodhohen qelizat e gjakut?
Prodhimi dhe zhvillimi i qelizave të gjakut ndjek një proces kompleks në disa faza ku qelizat fillestare të quajtura “qelizat nënë” ose progjenitorët hematopoietike, diferencohen në qeliza përfundimtare që qarkullojnë në gjak dhe kanë funksione të ndryshme (rruazat e kuqe, rruazat e bardha, trombocitet etj). Ky proces transformimi dhe maturimi ndodh tek indi i palcës së kockës nëpërmjet një mekanizmi që merr emrin “hematopoieza”. Pra, palca e kockës që është një ind me aspekt sfungjeror dhe ndodhet në brendësi të kockave, është përgjegjës për prodhimin e qelizave të gjakut. Organe të tjera, si për shembull: shpretka, mëlçia dhe nyjet linfatike ndihmojnë në prodhimin, në procesin e diferencimit dhe të shkatërrimit të programuar qelizor.
- Rruazat e kuqe: Eritrocitet, janë qelizat më të numërta të gjakut, të cilat i japin edhe ngjyrën e kuqe. Përmbajnë proteinën e hemoglobinës, e cila është e pasur me atome hekuri dhe ka funksionin e transportit të oksigjenit nga mushkëritë tek të gjithë organet e trupit. Normalisht, kemi 4-5 milionë eritrocite dhe 120-150 miligram hemoglobinë për mililitër gjaku. Një rruazë e kuqe gjaku jeton maksimalisht 120 ditë, prandaj duhet të rigjenerohen në mënyrë konstante.
- Rruazat e bardha: Të quajtura ndryshe edhe Leukocite, janë përbërësit e sistemit imunitar dhe kanë si funksion mbrojtjen e trupit nga infeksionet që mund të shkaktojnë mikroorganizmat parazitare, si për shembull: bakteret dhe viruset. Dy nga llojet më të rëndësishme dhe të shpeshta të rruazave të bardha janë neutrofilet dhe linfocitet. Neutrofilet kanë si funksion eliminimin e mikroorganizmave që depërtojnë në gjak nëpërmjet plagëve. Mund të dalin nga qarkullimi i gjakut dhe të migrojnë në zonat e infektuara për t’i luftuar këto mikroorganizmat. Neutrofilet kanë një jetë mesatare shumë të shkurtër (7 – 8 orë), kështu që palca e kockës prodhon me miliona të tillë çdo ditë. Linfocitet përbëjnë një tjetër lloj rruazash të bardha pjesë e sistemit imunitar. Linfocitet (T dhe B) kanë një funksion shumë të rëndësishëm në krijimin e memories imunologjike afatgjatë (sistemi imunitar specifik ose adaptativ).
- Trombocitet: Janë derivate qelizore që kanë si funksion ndalimin e hemoragjive me krijimin e një një barriere tek plagët ose dëmtimet vaskulare duke parandaluar në këtë mënyrë humbjen e gjakut.
Cilat janë funksionet që kryen gjaku?
Funksioni i transportit: Me anë të gjakut transportohen një sërë substancash të tretura në të ose të bashkuara me komponente të ndryshëm.
- Me ndihmën e rruazave të kuqe të gjakut, transportohet drejt indeve dhe organeve të tjera të trupit, oksigjeni i kapur nga mushkëritë. Me këto rruaza transportohet drejt mushkërisë për t’u eleminuar nëpërmjet sistemit të frymëmarrjes edhe dioksidi i karbonit që prodhohet në inde dhe organe.
- Transporton nutrientët që përthithen nga sistemi gastrointestinal (glukozën, aminoacidet, acidet yndyrore, vitaminat etj.), drejt qelizave të të gjithë trupit.
- Transporton produktet dytësore të metabolizmit nga vendi ku prodhohen, drejt organeve përgjegjëse për eliminimin e tyre, siç janë: veshkat, mushkëria, gjëndrat e lotit dhe të djersës etj.
Funksioni Homeostatik: Gjaku ka një rol shumë të rëndësishëm në rregullimin e parametrave jetësore, siç janë: pH-shi, temperatura, balanca e elektroliteve etj.
Funksioni i komunikimit dhe mbrojtjes: Në gjak, ndër të tjera, qarkullojnë mediatorët informativë, siç janë hormonet që kryejnë komunikimin midis strukturave dhe organeve të ndryshme të trupit. Gjithashtu, siç folëm më lart, në gjak qarkullojnë qelizat e sistemit imunitar (leukocitet dhe linfocitet), që kryejnë rolin e mbrojtjes së organizmit nga invazionet e mikrobeve shkaktarët e infeksioneve.
Këtë artikull të parë do ta ndjekin një sërë artikujsh që do të publikohen në vazhdim, tek të cilët do të mundohemi të shpjegojmë në një mënyrë të thjeshtë dhe praktike: në çfarë konsistojnë sëmundjet e gjakut, si diagnostikohen dhe cilat janë trajtimet e mundshme për to.
Objektivi ynë kryesor është informimi dhe ndihma e pacientit ose lexuesit të thjeshtë, me qëllimin që ai të kuptojë dhe analizojë më mirë informacionin që i jep personeli shëndetësor i specializuar dhe i përgjegjshëm për rekomandimet konkrete dhe të personalizuara në çdo rast. /Familja Jone