Me arra apo bajame, e sherbetosur dhe e shkrifët, sheqerparja mbetet ndër recetat më unike të amvisave shqiptare
Tradita shqiptare e ëmbëlsirave është e pasur me receta të mrekullueshme por ajo e sheqerpares është padyshim më e veçanta.
Është gostia më e mirë për miqtë, ëmbëlsia më e dashur për familjen e sigurisht receta për të cilat të gjitha trevat shqiptare krenohen se është traditë e tyre.
Si të përgatisim sheqerparen krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit për brumin
250 gramë miell
100 gramë gjalpë
100 gram sheqer
1 kokërr vezë
2 lugë gjellë kos i bardhë
1 lugë e vogël me maja për ëmbëlsira
Pak kripë
Disa thelpinj arrash dhe bajamesh
Për përgatitjen e sherbetit
200 gramë sheqer
200 ml ujë
2 lugë lëng limoni
1 lugë çaji me vanilje pluhur
Procesi i përgatitjes
Si fillim përgatisim sherbetin. Duhet të bëni kujdes që sherbeti të jetë i ftohtë në momentin që do t’u hidhet ëmbëlsirave.
Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i vendosim në zjarr që të vlojnë.
Në momentin që nisin të zjejnë, hedhim lëngun e limonit dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë për 5 minuta.
Më pas, e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.
Ndërsa sherbeti ftohet, nisim përgatitjen e sheqerpareve.
Në një enë të bollshme hedhim miellin, majanë, sheqerin, vezën, kosin dhe i përzjejmë që të gjitha bashkë derisa të njëtrajtësohen, më pas, hedhim gjalpin e shkrirë dhe pak fare kripë.
I përzjejmë me dorë të gjithë përbërësit derisa masa e përftuar të jetë e njëtrajtshme.
Më pas në një tavë shtrojmë letrën e kuzhinës, ndajmë brumin në forma ovale të sheshta dhe në mes krijojmë një gropëz të vogël ku vendosim nga një thelpi arre ose bajame.
Të gjitha sheqerparet e përgatitura i shtrojmë me rregull në tavë.
Këshillohet që sheqerparet të mos i vendosni shumë pranë njera-tjetrës, sepse gjatë procesit të pjekjes do fryhen në përmasat e tyre.
Ndërkohë ngrohim furrën në temperaturën 180 gradë celcius. Pasi furra të jetë nxehur fusim tavën me sheqerpare dhe i lëmë të piqen përreth 30 minuta derisa sheqerparet të marrin ngjyrë të praruar, të artë.
Pasi sheqerparet janë pjekur, i heqim nga furra dhe, siç janë të nxehta, u hedhim përsipër sherbetin e ftohtë.
I vendosim në një pjatë me radhë dhe më pas i servirim për t’i shijuar me familjen ose me miqtë.