Përmes lidhjes mes dy mutantëve, varianti indian i virusit mund ta anashkalojë sistemin imunitar të trupit. Edhe të vaksinuarit si edhe të shëruarit mund të infektohen më lehtë me këtë mutacion të dyfishtë, bazuar në supozimet e deritanishme
Varianti indian i virusit korona, i njohur si B.1.617, shfaq dy ndryshime të rëndësishme gjenetike në proteinën e tij sipërfaqësore. E484Q dhe L452R. Pas këtyre shifrave të pakuptueshme fshihet pozicioni i saktë i gjenit të ndryshuar. Mutacionet e veçanta të virusit janë të njohura prej kohësh. E484Q i ngjason variantit E484K, që u shfaq edhe te varianti britanik, afrikano-jugor dhe ai brazilian. Kurse mutacioni L452R gjendet ndërkohë në variantin kalifornian CAL.20C. Në Indi për herë të parë këto mutacione shfaqen së bashku, prandaj edhe raportohet për një “mutacion të dyfishtë”.
Përgjegjës nuk është vetëm “mutacioni i dyfishtë”
Që të dy këta mutantë shfaqen së bashku nuk do të thotë që ky variant është dyfish më infektues apo i rrezikshëm, kjo duhet studiuar ende. Deri tani thjesht mungojnë të dhënat për të vlerësuar më mirë këtë variant nga India. Sidoqoftë “mutacioni i dyfishtë” indian është vetëm një nga arsyet për gjendjen e tmerrshme në Indi aktualisht. Ky vend shënon më shumë se 17 milionë infektime të konfirmuara, këto janë infektimet më të larta në botë pas ShBA.
Janë sidomos rastet e shumta të shfaqura në një kohë të shkurtër – 332.000 raste në një ditë – që e çuan në kolaps sistemin shëndetësor në shumë rajone ende të prapambetura. Për një kohë të gjatë autoritetet vepruan me gjysmë zemre në luftë kundër virusit, kufizimet u liruan shumë herët, madje u toleruan edhe grumbullime të mëdha.