Mar, Jan 25, 2022
Banner Top
Banner Top
Rritja e infektimeve, Gjermania merr masa të reja

Stadiumet në Gjermani do të mbeten të zbrazura për pjesën e parë të sezonit, ndërsa kancelarja Angela Merkel zgjati ndalimin e tubimeve të mëdha deri më 31 dhjetor.

Kjo vjen pasi Merkel u takua me 16 drejtuesit e landeve të enjten për të diskutuar mbi mënyrat e ndalimit të përhapjes së infektimeve në vend në një kohë kur rastet ditore kanë arritur nivele rekord të krahasueshme me ato të pikut të pandemisë. Sporti nuk ishte fokusi kryesor i bisedimeve, por ai preket nga vendimi për të zgjatur ndalimin e eventeve ku higjiena dhe gjurmimi nuk mund të garantohen.

Masa e ndalimit të tyre do të skadonte më 31 tetor, por tani është shtyrë edhe me dy muaj. Sipas një marrëveshjeje mes rajoneve dhe qeverisë, autoritetet do të rrisin gjobat për mos mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura dhe transportin publik në 50 euro si edhe do të forcojnë kontrollet për të siguruar se masat po respektohen. Përhapja e virusit në vend është aktualisht më e ulët se ajo e marsit dhe prillit, por qeveria pranon se javët e fundit numri i infektimeve është rritur në mënyrë shqetësuese dhe ekziston shqetësim për pushuesit që po e importojnë virusin nga jashtë.

“Janë shtuar lëvizjet gjatë verës por ne duhet të jemi vigjilentë. Këshilloj po ashtu gjermanët të mos vizitojnë zonat që konsiderohen si të rrezikshme”, tha Merkel.

Instituti Robert Koch, ka hartuar një listë të vendeve që konsiderohen si të rrezikshme, për shkak të numrit të lartë të infektimeve atje, që përfshin Spanjën, Brukselin dhe Parisin. Gjermania ka raportuar gjithsej më shumë se 240 mijë raste koronavirusi dhe mbi 9200 viktima.

Arkiva

Kategoritë